Kryebashkiaku i Prrenjasit, Nuri Belba e blen shtrenjtë karburantin tek oligarku Paulin Gega. Pasi ia fal tenderin pa garë, tregon zemërgjerësinë e tij duke ia lënë dorë kompanisë të vendosë të dhënat e faturave të furnizimit, ku llogarit fitimin për litër. Dhe e blen karburantin për të gjithë vitin. Bëhet fjalë për një projekt ku do të blihet naftë, gaz dhe benzinë, që në total do t’u kushtojë qytetarëve të Prrenjasit 70 milionë lekë (pa TVSH).
Loti 1 ka objekt ‘Blerje nafte’ dhe për këtë janë lënë në dispozicion 65 milionë lekë. Pritshmëria e kryetari Nuri Belba është të furnizohet me 41 661 litra naftë.
Si e llogariti kryetari sasinë që i duhet dhe fondin limit? Meqenëse Bashkia e Përrenjasit i ka makinat e reja, ato mund të harxhojnë mesatarisht 5 deri në 6 litra naftë për çdo 100 km. Në total me kaq naftë flota e bashkisë, ku hyn edhe makina e kryetarit mund të kryejë afro 800 mijë km. Në fusim edhe furnizimin me benzinë dhe gaz, llogaria të çon tek shifra 1 milion kilometra. Pra, Nuriu Belba qenka si shoferi Dhimitër Delijorgji (Heroi i Punës Socialiste) që në vitin 1980 punonte për planin e vitit 2020.
Të paktën Delijorgji nuk përfitonte asgjë veç dekoratës dhe daljes në tribuna, por Belba dëmton arkën e bashkisë. E bëjmë këtë llogari për treguar se kryetari i bie me top parave duke i xhiruar tek llogaria e oligarkut të naftës.
Gara është hapur më datë 16 shkurt 2024 dhe vetëm pas dy javësh është mbyllur, kur është shpallur edhe fituesi. E dimë se është një kohë e shkurtër që të mbahet hapur një garë, të shqyrtohen dokumentet edhe të shpallet fituesi.
Por, dihet tashmë që Belba e ka nisur procesin mbrapsht, ai më herët në mendjen e tij e ka zgjedhur fituesin. Këtë e tregon fakti që “GEGA CENTER GKG” shpk ka paraqitur ofertë në të njëjtën vlerë sa fondi limit. Në këto raste ligji kërkon që të anulohet gara për shkak të mungesës së ofertave të përshtatshme, por Belba ka vazhduar me planin e tij dhe më datë 13 mars 2024 ka firmosur kontratën me Gegën.
Ky tender është vlerësuar nga Open Data me “Flamur të kuq”, që sinjalizon riskun e korrupsionit
Loti 1 “Blerje nafte”, sipas dosjes së tenderit parashikon furnizimin me 41661 litra dizel. Por kjo shifër mund të jetë më ulët, sepse fillimisht duhet që Gega sipas kontratës së lidhur, të përllogarisë fitimin, i cili nuk duhet të jetë më i ulët se sa 23.5 lekë për litër. Për këtë furnizim Gega do të fusë në xhep 6 541610 lekë (pa TVSH).
Edhe Lotin 2 të tenderit që ka për objekt “Blerje benzine”, e ka marrë Gega, që parashikohet t’i japë bashkisë Prrenjas 1725 litra benzinë pa plumb. Benzina do t’i kushtojë bashkisë 249 935 lekë.
Ndërsa Loti 3 “Blerje gazi” që parashikon furnizimin me 1242 litra propan, është akoma i hapur, por nuk ka dyshim se edhe ato para do t’i shkojnë Gegës.
Bashkia në varësi të nevojave të veta për konsum, kërkon nga Gega ngarkimin në sistemin elektronik të sasisë së nevojshme të Gazoilit, Benzinës dhe Gazit, e cila shpërndahet nëpër kartat elektronike për secilin automjet sipas nevojave. Pra, në këtë bashki rurale, ku njerëzit nuk arrijnë të shtyjnë muajin me ushqime, kryetari dhe stafi i tij e kanë karburantin nëpër kartat elektronike që i mbajnë në xhep. Ndërsa paratë e bashkisë i mban Gega në xhepin e tij.
Oligarku Paulin Gega i shpëtoi prangave në vitin 2019 dhe u kthye i rilindur duke u bërë pjesë e përfitimeve nga prokurimet. Kujtojmë se, në verën e vitit 2019, Policia e Shtetit shpalli në kërkim Paulin Gegën pasi ndaj tij rëndonin akuza të rënda. Dosja e vjedhjes së shtetit kishte fakte flagrante. Prokuroria e Tiranës nxori një urdhër ndalimi për Paulin Gegën për veprat disa penale, si “Fshehja e të ardhurave”, “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Tashmë është pluhurosur dosja penale dhe Paulin Gega është bërë oligarku i naftës krahas Kastratit dhe ndajnë së bashku tregun e karburanteve. Ndikimi i tyre dhe mbështetja politike u hap dyert e bashkive dhe institucioneve për të marrë me çmim të shtrenjtë një pjesë të tortës së buxhetit.