Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimin pasuror për të gjashtë të arrestuarit e operacionit “Metamorfoza” të urdhëruar nga SPAK.
Mes personave ndaj të cilëve po bëhet hetim pasuror janë biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-drejtuesi i Forcës Operacionale Oltion Bistri dhe ish-kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita.
Në sitë janë vënë prona të luajtshme dhe të paluajtshme, automjete, banesa, biznese, llogari bankare etj.
Qëllimi i hetimeve ka të bëjë me zbulimin e të ardhurave për të siguruar këto të mira materiale dhe nëse kanë burime të ligjshme.
Ky hetim po ndiqet nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Arben Kraja.
Ditën e djeshme, Gjykata e Posaçme e Apelit shtyu vendimin për 6 të arrestuarit në dosjen e ashtuquajtur “Metamorfoza” që këkrkuan lirinë.
Seannca e radhës do të mbahet në 31 Gusht.
Në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, veç ndryshimit të masave të sigurisë, avokatët e të hetuarve për disa akuza më të rëndat ato të vrasjes dhe sigurimit të kushteve për vrasje, ngritën pretendimin për papërdorshmëri të komunikimeve në aplikacionin SKY.
Por kundër këtyre pretendimeve të ngritura nga mbrojtja, qëndron SPAK, që i ka këto komunikime, shtyllën kryesore të hetimeve, të cilat sipas prokurorisë janë të mbështetura me verifikimet shtesë të bëra.
Prokuroria e Posaçme ka një sërë komunikimesh të enkriptuara të aplikacionit Sky, që janë zbërthyer nga autoritetet franceze.
Në këto komunikime, të arrestuarit, por edhe 9 personat e tjerë të shpallur në kërkim, flasin për vrasjen e shtetasit Gjin Boriçi në Shkodër, plagosjen e Taulant Pepajt, po në këtë qytet, si dhe 3 plane atentatesh të parealizuara.
Gjithashtu, në komunikime u gjetën edhe biseda të drejtuesit të Forcave Operacionale, Oltian Bistri, i cili dyshohet se ka favorizuar biznesmenin Pëllumb Gjoka, si dhe prokurorit Xhevahir Lita, i akuzuar për korrupsion me dyshimet se ka ndihmuar në disa procese anëtarë të grupit Bajri në Shkodër.