top of page

Për mirëmbajtjen e tualeteve, Veliaj u ndan pa garë 100 mln lekë Andrea Gjikondajt dhe Zani Zogës


Vërtetohen dyshimet për korrupsion që ngriti në nëntor 2022,mbi tenderin e Erion Veliajt për mirëmbajtjen e tualeteve të shkollave të Tiranës. Auditimi i KLSH ka nxjerrë të njëjtin përfundim mbi tenderin 100 milionësh.


Open Data i kishte dhënë këtij prokurimi “Flamurin e Kuq”, për të treguar se ka risk të lart për abuzimin dhe korrupsionin me fondin. Sipas dokumenteve, për këtë projekt kishin paraqitur oferta 6 kompani, 5 nga të cilat ishin përjashtuar që në fazën e parë të shqyrtimit. U vu re se 5 firma ishin skualifikuar me justifikimin se nuk kishin dorëzuar CV dhe diplomat e punonjësve. Në fakt, sipas ligjit, bashkia si Autoritet Kontraktor duhet t’i vërë në dijeni dhe jo t’i përjashtojë nga gara kompanitë pjesëmarrëse.


Në të njëjtin drejtim, KLSH nënvizon se “nuk janë zbatuar aktet ligjore dhe nënligjore të Ligjit për Prokurimet Publike, për hartimin e kritereve dhe vlerësimin e ofertave”.

“Kriteri i vendosur nga Bashkia, që kërkon 1 mjek në stafin e kompanisë është në kundërshtim me vendimin e qeverisë “Për aftësinë që duhet të plotësojnë punëmarrësit, personat dhe shërbimet e specializuara, që merren me çështjet e sigurisë dhe të shëndetit në punë. Punëdhënësit e grupeve “A” dhe “B”, në zbatim të pikës 2, të kreut II, të këtij vendimi, për çdo 700 punëmarrës, sigurojnë shërbimin mjekësor në ndërmarrje nëpërmjet mjekut të punës. Ndërsa punëdhënësit e grupeve “C” dhe “D”, për çdo 1500 punëmarrës, sigurojnë shërbimin mjekësor në ndërmarrje nëpërmjet mjekut të punës të kontraktuar nga jashtë”, argumenton audituesi i KLSH në raportin e publikuar së fundmi.


Ndërkohë, që me arsye absurde skualifikohen kompanitë nga gara, firma fituese del se nuk ka paguar taksat. Nga shqyrtimi i dokumentacionit në dosjen e paraqitur, rezulton se kompania 2Z KONSTRUKSION SHPK nuk përmbush kriterin për vërtetimet e taksave vendore për vitin 2022. Ky subjekt ka paraqitur vetëm vërtetim për likuidimin e taksave në Bashkinë Fier, ndërkohë rezulton se për vitin 2022 ka lidhur kontratë me Drejtorinë e Përgjithshme të Objekteve Publike, Bashkia Tiranë. Kjo kompani nuk ka paraqitur asnjë dokument për të provuar se ka likuiduar detyrimet vendore përkatëse. Gjithashtu, kompania tjetër bashkëfituese ASI-2A CO shpk rezulton sipas ekstraktit historik të QKB, se ka krahas adresës kryesore në Fier, edhe vend ushtrim tjetër të aktivitetit në Tiranë, ndërkohë nuk ka paraqitur asnjë vërtetim për likuidimin e detyrimeve vendore për vitin 2022 pranë kësaj bashkie.



Kuptohet se drejtori i Lali Erit për objektet Erindi Bejko e ka porosi nga lart që t’i favorizojë dy subjektet, sepse ato janë në pronësi të biznesmenëve të privilegjuar dhe paracaktuar nëpër tendera, të Andrea Gjikondajt dhe Zani Zogës.


Situata e mbipopullimit në Tiranë ka sjellë mungesë të shkollave, ndërkohë që Erion Veliaj i harxhon paratë në tendera të tillë korruptiv. Kujtojmë se kryeqytetasit në shkelje të Kushtetutës paguajnë një taksë të përkohshme për arsimin. Kjo quhet “Taksa e përkohshme për infrastrukturën Arsimore” dhe, sipas verifikimeve, për vitin 2023, familjet dhe bizneset i paguan Bashkisë Tiranë 810 miliardë lekë.

bottom of page