top of page

Përmbyten qindra ha tokë bujqësore në Krujë/ Fermeri: Shkak punimet Gener 2 në rrugën Thumanë-Kashar


Shirat të dendur të rëna gjatë natës në rrethin e Krujës kanë shkaktuar përmbytje të qindra hektarëve tokë, të mbjella me jonxh, misë e grurë.


Po ashtu edhe disa banesa private janë përmbytur nga uji dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses për të nxjerrë ujin nga banesat e nga garazhdet.


Konkretisht në të gjithë fshatrat e Ultësirës së Krujës ka përmbytje. Kjo vjen si pasojë e mospastrimit të kanaleve kulluese nga ana e bordit kullues të bashkisë.


Situata më problematike paraqitet në fshatin Bilaj ku sipërfaqet e përmbytura janë shumë të mëdha.


Një fermer i zonës e konsideron veten të falimentuar pasi i gjithë prodhimi i grurit prej mbi 60 ton si dhe makineritë e mjetet bujqësore janë në ujë.


Kjo sipas fermerit Xhovalin Doda, por edhe sipas banorëve të këtij fshati shkak janë punimet në rrugën Thumanë-Kashar që po kryhen nga kompania Gener 2 e cila sipas tyre nuk ka marrë parasysh ujin, por ka vendosur tuba më të ngushta duke bllokuar dhe ngushtuar kështu rrjedhën e ujit.

'Kjo fermë është përmbytur totalisht 600 kuintal grurë janë nën ujë. Krejt faktor kryesor janë punimet e Gener 2. Nuk ka hapur kanale kulluese nuk ka marrë parasysh kuotat e kullimit. Ja kanali bordurat këtu. Vajmedet kur të dalë lumi ose kur të ndodhe ndonjë fenomen tjetër. Gjithë prodhimi është në ujë, jemi komplet të falimentuar të mbaruar.'- thotë ai.


Probleme janë paraqitur edhe në Krujë ku asfalti i rrugës nacionale Krujë-Fushë-Krujë është dëmtuar në disa pika.

bottom of page