Pushteti i grupit “Kastrati” mbi bashkitë është i padiskutueshëm kur vjen fjala për zhvatjen e tenderave të furnizimit me karburant. Nuk mjafton fakti që kjo kompani sundon tregun e naftës, por dikton edhe vendimet e zyrtarëve në prokurimet publike. Aroma e korrupsionit kutërbon ajrin dhe largon pjesëmarrjen e konkurrentëve në tenderat ku shkon “Kastrati”. Asnjë biznesmen nuk do të donte të prishte marrëdhëniet me bashkitë dhe të merrte pjesë në një tender që dihet se është vendosur për Kastratin. Më terminologjinë e ekonomistëve kjo quhet “klima e biznesit”, që për momentin është mbytëse.
Pazari i fundit është me kryetarin e Bashkisë Tropojë Rexhe Byberi. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-99914-04-03-2024 dhe objekt ‘Blerje karburante’. Më konkretisht, furnizohen makinat e Byberit, të stafit të tij dhe ato pak mjete të shërbimeve që janë në punë. Por synimi kryesor është që këto lekë të shkojnë në llogarinë e Kastratit dhe meqenëse jepen pa garë, kjo merr kënaqësinë e një gostie. Për këtë qytetarët tropojanë do të paguajnë 125 milionë lekë nga taksat e tyre, që është fondi limit i shpallur.
Shohim se për këtë tender ka vetëm një ofertë që është bërë nga firma “Kastrati”. Ky tender duhej anuluar menjëherë nga kryetari dhe të rriteshin oferta të tjera, sepse në Tropojë janë të vendosura edhe kompani të tjera karburantesh. Por, Byberi nuk është vonuar në vendimin e tij. Kështu, pa konkurrencë, Kastrati shpallej përfitues, madje me një ofertë sa 100% e fondit limit!
Pra vetëm me këto 2 pika, mungesë konkurrence dhe ofertë e shtrenjtë, duket qartë që tenderi nuk duhej zhvilluar. Ndërsa ky pretendim thellohet po të kujtojmë se këtë kontratë “Kastrati” e fiton çdo vit nga Bashkia Tropojë. Pra, tenderi është rutinë fiktive. Ndërkohë, Gijotina.com ka raportuar se e njëjta skemë ndiqet edhe nga pjesa dërrmuese e bashkive, kur ndërhyn “Kastrati” për të përfituar fondet.
Abuzimet me karburantin
Kryetari Byberi përveç se abuzon me tenderët pa garë, si në rastin e “Kastratit”, i favorizon këto kompani duke mos u kërkuar taksat si subjekt që tregton karburante në këtë bashki. Së fundmi, Kontrolli i Lartë i Shteti ka publikuar një auditim të zhvilluar në Bashkinë Tropojë për vitin 2022 deri në muajt e parë të vitit 2023. Në këtë auditim zbulohet se Bashkia Tropojë nuk iu merr taksat 5 kompani që operojnë për shitjen e karburanteve në këtë bashki, çka deri në janar të vitit 2023 i kanë sjellë bashkisë 46 milionë lekë humbje.
Ndërsa më tutje theksohet se në vitin 2022, Bashkia Tropojë ka blerë 140 milionë lekë naftë, një shpenzim i çuar dëm ky, pasi nga 30 automjete që ka bashkia një pjesë e mirë e tyre nuk janë funksionale.
“Nga auditimi i zbatimi i buxhetit për vitin 2022, konstatohen shkelje dhe parregullsi nga Bashkia Tropojë, lidhur me shpenzimet e karburantit, ku konstatohet shpenzime në vlera të konsiderueshme prej 14,000,000 lekë, për 30 automjete të lehta dhe të rënda (fadromë, makine vetëshkarkuese pastrimit, kamion etj), ku rreth 30 % e tyre janë të amortizuara, pasi janë mbi 30 vjeçare. Gjithashtu normat mujore të shpenzimit të karburantit rezultojnë të larta, për disa automjete, konkretisht”, thuhet në dokumentin e KLSH, duke na vërtetuar edhe njëherë që tenderat bëhen për interesat mes Byberit dhe Kastratit.
Theksojmë se Open Data e ka klasifikuar këtë tender me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Në hetim nga SPAK
Ndërkohë, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë nën hetim kryebashkiakun e Tropojës, Rexh Byberin, pasi është kallëzuar për shpërdorim detyre.
Bazuar në hetimet që për një kohe të gjatë i drejtoi prokuroria e Tropojës, edhe SPAK ka arritur në përfundimin se Byberi dha leje ndërtimi në shkelje të ligjit gjatë kohës që mbante detyrën e kryetarit të komunës Margegaj (2015). Madje njërit prej familjarëve të tij i ka dhënë të drejtën të ndërtojë një HEC. Po ashtu, po shqyrtohen të paktën tre tendera që kryetari Byberaj ia ka dhënë kompanisë së kushëririt të tij. Në 11 prill 2024, Byberaj u paraqit në SPAK ku dha shpjegime për këto çështje.