top of page

Pagesat / Mafiozi Gentian Sharra përlan para publike nga burgu, ‘futi në thes’ drejtorin e Spitalit të Elbasanit Agron Gaxho

Jo vetëm ish kryetari i Bashkisë Kukës Safet Gjici, por edhe anëtarë të grupeve kriminale vijojnë të marrin tendera dhe para publike nga burgu. Teksa SPAK dhe Gjykata Speciale po godasin krimin e organizuar nga Shkodra në Elbasan, anëtarët e grupeve kriminale, me masë sigurie arrest me burg për vepra të rënda penale, vijojnë të përlajnë para publike përmes kompanive në emrin e familjarëve.

Gentian Sharra, i dënuar më parë për trafik droge, pjesë e bandës së Talo Çelës, i arrestuar në 18 maj 2022 nga SPAK, vijon të marrë para publike përmes bashkëshortes Olta Sharra, e cila furnizon me mish disa institucione publike në Elbasan.

Gjatë viteve 2023-2024, kohë gjatë të cilës Gentian Sharra qëndronte në burg, ka marrë qindra mijëra euro para publike, përmes bashkëshortes Olta Sharra, nga Spitali i Elbasanit dhe Spitali Psikiatrik i Elbasanit.Në prag të festave të fundvitit më 30 dhjetor 2022, kreu i spitalit rajonal “Xhaferr Kongoli” të Elbasanit, Agron Gaxho, rinovoi për të tretin vit radhazi kontratën e shërbimit të gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për pacientët e spitalit të tij, me kompaninë e Gentian Sharrës, kur ky i fundit ishte në burg që në maj 2022.

Me anë të gruas së tij Olta Sharra, si person fizik me nipt: L32517203Q, grabitësi i Rinasit ka marrë mbi 14 milionë USD tendera nga Bashkia Elbasan, Librazhd, Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara në Ministrinë e Brendshme, Spitali i Elbasanit, Spitali Psikiatrit i Elbasanit etj.Gentian Sharra është dënuar më parë për trafik droge, ndërsa rezulton pjesë e bandës së Talo Çelës në disa grabitje me dhunë gjatë 10 viteve të fundit.

Pjesë e grabitjeve është edhe vjedhja e famshme e parave në Rinas. Sharra u fundos nga rrëfimi i Nuredin Dumanit, i cili e implikoi në disa grabitje me dhunë dhe krime të rënda.

Me pararë e grabitura me dhunë, përzier me para publike tenderash, Sharra kishte hapur disa kompani në emër të gruas si dhe kishte krijuar një pasuri me vlerë miliona euro.

Një pjesë e pasurisë me vlerë 5 milionë euro iu sekustrua në vitin 2022 me kërkesë të prokurorisë.

Para arrestimit, Gentian Sharra dhe bashkëshortja e tij Olta Sharra, kanë shitur tek njerëzit e tyre të afërt, disa prej makinave që ata dispononin. Njëherësh Sharra ka shitur tek nusja e vëllait dhe 4 pasuri të tjera të paluajtshme, me qëllim tjetërsimin dhe heqjen e përgjegjësise juridike tek këto prona.

Anëtari i bandës së Talo Çelës nuk kishte kapur verëm entet publike ku merrte tendera miliona euro, por ky vendim tregon se grabitësi Gentian Sharra kishte fuqi që të gjunjëzonte edhe Komisionin e Prokurimit Publik, e drejtuar deri në vitin 2020 nga Evis Shurdha.

Banda e Talo Çelës i kishte përgatitur terrenin për të marrë një tender me vlerë rreth 3 milionë USD për shërbimin e gatimit dhe shpërndarjen e ushqimit për Spitalin e Psikiatrik ‘Sadik Dinçi’ në Elbasan.

Por, tenderin e fitoi një kompani tjetër. Anëtari i bandës së Talo Çelës, Gentian Sharra, vuri në lëvizje Komisionin e Prokurimit Publik, i njohur si gjykata e tenderave në Shqipëri.

Në 25 maj 2020, pesë anëtarë të KPP-së u rreshtuan në krah të krimit, duke i hequr tenderin kompanisë fituese dhe duke ia dhënë grabitësit Gentian Sharra, i cili kamuflohej me gruan e tij, Olta Sharra, punonjëse në Bibliotekën e Elbasanit.Në krye të KPP ishte Evis Shurdha, e cila u zëvëndësua më pas nga Jonald Myzyri, i njohur si Xhuxhi i tenderave.

Gledjan Llatja dhe Kastriot Gurra

Mbi 20 tendera për furnizim me mish dhe gatim, Gentian Sharra i ka marrë nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledjan Llatja dhe kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra.

Dy kryebashkiakët janë lakuar për korrupsion dhe si të kapur nga krimi i organizuar. Gledjan Llatja duket se është nën kontrollin e Talo Çelës dhe Sharrës, pasi i ka dhënë këtij të fundit tendera me vlerë milione euro për shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi, me ofertë gati sa fondi limit.

Drejtorët e Spitalit Psikiatrit Elbasan

Edhe drejtorët e Spitalit Psikiatrit të Elbasanit kanë ndarë miliona euro me grabitësin famëkeq Gentian Sharra, i kamufluar me gruan e tij, Olta Sharra. Në një rast, nga Spitali Psikiatrit Olta Sharra ka marrë një tender me paracaktim me vlerë rreth 2.5 milionë euro.

Kujtojmë që tenderat Gentian Sharra i ka marrë pas vitit 2016, kur ndërkohë vijonte grabitjet me dhunë me Talo Çelën.

Sharra ka ngritur kompaninë me para të grabitura dhe më pas ka nisur të marrë para publike, falë lidhjes me funksionarë publikë.




bottom of page