Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe vartësi i saj drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve, Spartak Kovaçi, i japin 250 milionë lekë qyl Sahit Dollapit. Porosia për të shpërblyer djalin plangprishës të PD-së (ish sekretari organizativ i PD-së) duhet të jetë dhënë nga kupola e qeverisë. Këtë nënvizim e bëjmë pasi tenderi për pastrimin e kolektorëve të Durrësit i është falur Dollapit paralelisht me marrjen e parave nga Erion Veliaj për zhbllokimin e pusetave të Tiranës.
Tenderi me “Flamur të kuq”
Më 26 korrik 2023, UKD që varet nga Bashkia e Durrësit, shpalli tenderin për pastrimin e kolektorëve të ujërave të ndotura të Durrësit me fond limit 25 000 000.00 lekë (pa TVSH), ose 300 milionë lekë përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (20%).
Tenderi i qepur me porosi për kompaninë e Sahit Dollapit “Onyx” shpk nuk pati interes nga asnjë operator tjetër përveç fituesit. Për këtë arsye Open Data vlerëson se kjo procedurë mbart risk të lart korrupsioni për fondin e prokuruar dhe e ka shënuar me “Flamur të kuq”.
Më 11 gusht 2023, pa e zgjatur fare, drejtor Kovaçi e ka firmosur kontratën me Onyx shpk në mungesë totale të konkurrencës.
“Fitorja” e dy tenderëve njëherësh
“Fitoret” e koordinuar për të qethur rreth 500 mijë euro nga buxheti i dy bashkive kryesore të vendit ka një shkelje flagrante që duhet ta detyronte Kovaçin dhe Sakon që të anulonin tenderin.
Dy ditë para Durrësit, ishte Erion Veliaj që i kaloi 200 milionë lekë (pa TVSH) Sahit Dollapit për të njëjtën punë dhe për të njëjtën periudhë zbatimi të kontratës (4 muaj nga dita e nënshkrimit).
Më datë 9 gusht 2023, Onyx ka firmosur të angazhojë 10 punëtorë, një inxhinier, 2 makina teknologjike pastrimi dhe dy koka sondash për të zhbllokuar pusetat, sipas marrëveshjes me Veliajn. Dy ditë më pas, më 11 gusht, Dollapi angazhohet sërish të bëjë të njëjtën punë, me 12 punonjës, një inxhinier, dy mjete teknologjike për të pastruar kolektorët.
Kërkesat e kontratës së Onyx shpk me bashkinë Tiranë
Tenderi i BashkisëTiranë, që u fitua nga Onyx shpk
Kërkesat e kontratës për zhbllokimin e pusetave
Pastrimet e pusetave në Durrës
Kjo shkelje duhet të kihet parasysh nga Agjencia e prokurimeve, por edhe nga SPAK-u.
Përse i jepet ky fond Dollapit?
Përmbytet qyteti i Durrësit pas çdo shiu dhe vazhdojnë shpërdorohen taksat e qytetarëve durrsakë në projektet kanalizimeve, impianteve, tenderëve pa fund! Hartimi i projektit të objektit “Pastrimi i kolektorëve të ujërave të ndotura”, Bashkia Durrës, është bërë nga stafi i Departamentit Teknik të SHRUK Durrës sh.a bazuar në relacionin e Drejtorisë së Grumbullimit të UN, në të cilin pasqyrohen shqetësimet e qytetarëve të zonës së Currilave dhe të disa lagjeve të qytetit për bllokimin e kolektorëve kryesorë dhe sekondar të ujërave të ndotura nga mbeturina të ndryshme, bllokimi i të cilave ka shkaktuar përmbytje të rrugëve të qytetit në ditët me reshje të shumta atmosferike duke sjellë shqetësime jo vetëm për
banorët, por edhe për qarkullimin e mjeteve.
Zonat ku do të kryhet shërbimi ndodhen në pjesë periferike turistike dhe në disa lagje të qytetit.
Në puset e stacioneve të pompimit grumbullohen jo vetëm sasi të mëdha mbeturinash, por edhe rërë që depozitohet nga zonat e plazhit. Puset sipas projektit do të pastrohen me automjet teknologjik me pompë presioni të lartë.
Nga ky projekt, lindin pyetjet, nuk paska Bashkia Durrës dy autobote për pastrim të këtyre puseve? Nuk ka 12 punëtorë dhe një inxhinier mjedisi? Nëse nuk ekzistojnë këto makina, përse nuk i blen këto dy mjete dhe të vazhdojë pastrimet përtej katër muajve, gjatë gjithë vitit, për gjithë mandatin e Sakos si kryebashkiake?! Në dokumentet standarde të tenderit, përcaktohet se pastrimi do të kryhet vetëm një herë (në një fazë). Pse nuk është caktuar përgjegjësia apo garancia e kompanisë fituese, nëse përmbyten sërish rrugët e qytetit pas pastrimit të pusetave të kolektorëve?
Ku shkojnë paratë e projekteve për kanalizimet?
Po përmendim disa investime të kryera pas vitit 2018 në Durrës për kanalizimet që duhet ta kishin zgjidhur problemin, nëse fondet nuk do t’i prekte korrupsioni.
1-Ndërtim rrjeti kanalizimi i ujërave të ndotura lagjja nr.7 dhe nr. 10.
2-Ndërtim kanali i ujërave të ndotura Lagjja nr.14 Shkozet
3- BE financon asistencën teknike për Projektin e Menaxhimit të Ujërave të Zeza të Durrësit. 20 milionë euro kredi paguan populli shqiptar BE-së për këtë projekt dhe 12 milionë të tjera dalin nga buxhetit i shtetit.
4- Në prill 2019, një investim prej 10 milionë eurosh është realizuar në zonën e Gjirit të Lalzit për të ndërtuar impiantin e ri të trajtimit të ujërave të zeza. Ky impiant në fazën e parë do të mbulojë nevojat e 15 mijë banorëve, për t’u zhvilluar në një fazë tjetër deri në kapacitetin përpunues për 30 mijë banorë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtori i UKD, Spartak Kovaçi (djathtas) në impiantin e ndërtuar në Lalëz
Kur do të funksionojnë kanalizimet e Durrësit?
Në tenderët mëdhenj që shoqëruan këto projekte u firmosën abuzime dhe si rezultat Bashkia e Durrësit vazhdon vuan përmbytjet.
Kovaçi. njeriu i Vangjush Dakos që drejton Ujësjellës Kanalizimet e Durrësit, në 5 nëntor 2021, në konflikt të plotë interesi i dha babait të vet tenderin 18 milionë euro. Bëhet fjalë për projektin “Rehabilitimi i infrastrukturës së rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujrave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit Faza I”.
Tenderi u fitua nga bashkimi i kompanive fituar nga grupi i kompanive “2T” shpk & “VELLEZERIT HYSA” shpk & “ADRIATIK” shpk, por garant ishte Petrit Kovaçi, i cili është pronar tek firma “Adriatik”.
26 tetor 2021, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, çeli punimet e këtij projekti në Porto Romano. Deri tani punimet nuk kanë filluar megjithëse, sipas kontratës së lidhur, duhet të mbaronin në 1 janar 2023. Kështu ndodh kur i biri ia jep tenderin babait.