top of page

Pasi e falimetuan UKD-në, 500 MLN lekë abuzimi i ri i Spartak Kovaçit dhe Emiriana Sakos


Paratë e fundit që kanë mbetur nga arka e Ujësjellësit të Durrësit për vitin 2023, kryebashkiakja Emirana Sako dhe drejtori i saj Spartak Kovaçi po i prishin për riparim pompash. Kështu, Durrësi ujin e pijshëm e merr me kufizim, por kur rregullon pompat harxhon 500 mijë euro! Mos u çudisni nga shuma! Kovaçi po i bie me top parave përpara se të shkojë në burg. Pasi e falimentoi Ujësjellësin dhe iu ndërrua emri, duke futur në sqetull edhe ujësjellësit e tjerë të Prefekturës së Durrësit, Kovaçi gjen sërish fonde për të vazhduar tenderat e korruptuar.

Për më tepër Kovaçi ka mbështetjen e Sakos dhe të ministres Balluku, që nuk e lëshojnë këtë diamant. Këtë herë Kovaçi ka zhvilluar tenderin me objekt “Avolxhim elektromotorrësh dhe riparim pompash”. Më konkretisht, ky është një shërbim rutinë që u bëhet pompave, por Kovaçi e bën po aq të shtrenjtë sa t’i blinte të reja këto pajisje. Megjithëse drejtori nuk i kushton ndonjë rresht argumentimit të fondit limit në dokumentet e tenderit, ne thjesht po tregojmë habinë tonë për këtë shpenzim të madh.

Gjithsesi, kemi provat se ky fond po shpërdorohet dhe po u xhirohet miqve.



Për këtë tender janë paraqitur 3 oferta të kompanive, mes të cilave sipas ligjit, duhej të kishte konkurrencë. Por, nën shembullin e Sakos, drejtor Kovaçi zhvillon një proces fiktiv.

Nga 3 firmat, dy prej tyre u skualifikuan nga gara menjëherë. Kështu, mbi tryezën e drejtorit qëndroi vetëm propozimi i firmës ELEKTROINVEST, në pronësi të Jani Tetës. Open Data Albania i ka vendosur tenderit “Flamur të kuq” si një sinjal që ky tender po abuzohet dhe ka risk korrupsioni.

Kështu nga data 22 dhjetor 2023, ka hyrë në fuqi kontrata me këtë firmë dhe do të zgjasë 2 vjet. Epo, me këtë vlerë të lartë të fondit limit, Teta ka kapur një llokmë të mirë.

Si e falimentoi Kovaçi Ujësjellësin e Durrësit

Falimentimi i shoqërisë së ujësjellësit të Durrësit që ka marrë më shumë financime është një rast unik që tregon keqmenaxhim dhe korrupsion. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur Kovaçi gjatë drejtimit të tij ka kanalizuar mbi 14 milionë euro tendera drejt e tek kompania ku ortak është babai i tij.

Me 13 korrik 2022 u mblodh Asambleja e Përgjithshme e Aksionerëve të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a nën drejtimin e kryetares së bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ku merrnin pjesë kryetari i bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana, kryetari i bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, përfaqësues të bashkisë Krujë, përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtori i përgjithshëm i AKUM, Klevis Jahaj dhe mikëpritësëi drejtori i UKD, Spartak Kovaçi. Këtu u ndërrua emri nga UKD në shoqëri rajonale.



Disa ditë më parë, oficerët e BKH-së shkuan me urdhër të SPAK-ut në zyrën e drejtorit të Ujësjellës Kanalizime Durrës, Spartak Kovaçi, duke i sekuestruar kompjuterin. Kontrolli ka ardhur pas denoncimeve dhe media të tjera për afera korruptive nga Spartak Kovaçi, i cili dyshohet se ka përvetësuar paratë e ujësjellësit përmes një skeme korrupsioni me babanë e tij, Petrit Kovaçi dhe disa ortakë të babait, duke qarkulluar të paktën 50 milionë euro, ku e implikuar është edhe kryebashkiakja Emiriana Sako.

Sipas burimeve, në hetimet e SPAK-ut do të jetë edhe një hotel në Durrës, të cilin ka nisur ta ndërtojë vitin e kaluar Petrit Kovaçi, babai i drejtorit ië UKD, ku dyshohet se pastrohen paratë e disa zyrtarëve të lartë.

Pra, shkaku i falimentimit është i qartë: Përvetësimi i parave nga tenderat për të ndërtuar bizneset e zyrtarëve të Ujësjellësit, Bashkisë dhe eprorëve në Tiranë.

bottom of page