Pastrimi i Shijakut me vetëm 4 makina, Elton Arbana i fal 1.3 miliard lekë Fadil Ballës
- Editor 1
- Apr 15
- 3 min read

Paguani “taksën e pastrimit” dhe hidhini mbeturinat në kosh, se për të tjerat kujdeset kryetari i Bashkisë Shijak. Kështu reagoi Elton Arbana në prill të vitit të kaluar, kur fotot e qytetarëve me koshat e plehrave plot u bënë virale në rrjetet sociale.
“Sfida jonë më e madhe është lufta për ndërgjegjësimin e qytetareve për hedhjen e mbeturinave…Prapë ne nuk dorëzohemi përpara atyre që duan të bëjnë politikë edhe kur 1 kazan është i mbushur. Unë e dua Shijakun më shumë se kushdo tjetër ndaj do jap shpirtin dhe zemrën për çdo ditë që Shijakasit m’kanë besuar”, shkruante Arbana.
Tenderi me “Flamur të kuq” për Fadil Ballën
Sot, kur Arbana i shpërdoron taksat e mbledhura me një tender për pastrimin që ia fal Fadil Ballës pa garë, kuptojmë se pse kryetari e do bashkinë dhe jep “shpirtin” për të.
Një fond afro 1.3 miliardë lekë (pa TV SH) është dhënë nga Bashkia Shijak më 8 prill 2025 përmes një prokurimi të dyshimtë, të zhvilluar me 1 pjesëmarrës.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Shërbimi i pastrimit, grumbullimit dhe depozitimi i mbetjeve urbane, mirëmbajtje e hapësirave publike dhe varrezave në bashkinë Shijak” me Fondin Limit 125 128 146,00 lekë pa TV SH.
Procedura është hapur më 27 shkurt 2025, ndërsa data e fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte më 17 mars 2025. Megjithatë, tenderi ka pasur vetëm një pjesëmarrës, kompaninë “AMR” shpk me pronar Fadil Ballën nga Xhafzotaj. Dhe rezultati i tenderit me një pjesëmarrës është pranimi i ofertës 124 742 586,00 gati 99% e fondit limit.
Për shkeljet e kryera, procedura e bashkisë Shijak ka marrë nga Open Data Albania vlerësimin me “Flamurin e kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.

Tenderi është anuluar një herë tjetër për arsye që nuk bëhen të ditura. Në datën 19 dhjetor 2024 është hapur procedura e mëparshme dhe është anuluar më 28 janar 2025.
Kërkesat e tenderit i përshtaten kompanisë private që përdor një numër të vogël mjetesh, por nuk përputhen me nevojat e bashkisë për pastrimin e rrugëve dhe të shesheve. Konkretisht bashkia ka parashikuar vendosjen e 341 kontenierëve dhe zbrazjen e tyre çdo ditë. Kjo gjë duket e pamundur të bëhet me 4 mjete që i kërkohen të vihen në dispozicion nga kompania fituese.
Po ashtu një staf i vogël do të përballojë pastrimin e gjithë sipërfaqes së bashkisë Shijak (me vetëm 30 punonjës) që duhet të kujdesen edhe për mirëmbajtjen e lulishteve dhe ofrimin e shërbimeve në varreza.
Arbana, kryetari i varur nga mafia e Shijakut
Elton Arbana është pjesë e përgjimeve në dosjen e Vangjush Dakos. Në përgjimin e publikuar nga media gjermane “Bild”, Elton Arbana flet në telefon me Astrit Avdylajn në lidhje me disa gjoba të vendosur nga INUK. Mes tyre shfaqet një miqësi shumë e ngushtë. Në përgjim shihet se si zyrtarët e PS i binden urdhrave të Astrit Abvdylajt.
“Astrit Avdylaj, kreu i klanit kriminal ‘Avdylaj’ në Shijak i telefonon kryetarit të PS për Shijakun, Elton Arbana, që ishte në atë kohë kandidat i PS për kryebashkiak në Shijak.
Me një ton të irrituar të zërit, ai i telefonon Arbanës dhe i thotë se Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit po i vendos gjoba disa njerëzve në Sukth dhe se ai nuk po i telefonon dot Gjushit (Vangjush Dako- kryebashkiak i Durrësit) për t’i kërkuar që të ndalojë kjo, pasi kryebashkiaku i Durrësit është me Edi Ramën në Zvicër në një udhëtim.
Kur Arbana pretendon se nuk ka autoritetet për shkak se e kanë hequr nga posti në Inspektoratin e Ndërtimit, bosi i krimit, Avdylaj këkon që ai t’u telefonojë inspektorëve, të ndalojnë gjobën, të kërkojnë ndjesë, përndryshe do e bëjë vetë. Në fund, kreu i PS në Shijak pranon dhe i thotë Astrit Avdylajt se ai do i telefonojë dhe do u thotë të kujdesen për ‘problemin’,” shkruan Bild.
Më 26 mars 2024, emri i tij ishte në një raport të organizatës “Qëndresa Qytetare” që u dërgua në SPAK. Elton Arbana ishte mes 22 kryetarëve të bashkive, që rezultojnë se shpërdoruan aseteve publike dhe nuk përmbushën detyrimet ligjore te parashikuara ne Kodin Zgjedhor.
Sa më shpejt të veprojë SPAK, aq më pak fonde të bashkisë do të keqpërdoren në tendera me shkelje që shkojnë në favor të biznesmenëve si Fadil Balla.
תגובות