top of page

Pasuritë e krimit / Kush i menaxhon hotelet ‘Zeus’ e ‘Billionaire’ të Vis Martinajt dhe Leonard Dukës? Pse nuk i sekustron SPAK-u?

Zbërthimi i komunikimeve në SKY të kokave të krimit nga autoritetet franceze, reflektuar në disa dosje të SPAK, ka nxjerrë në pah edhe pasuritë me vlerë miliona euro të grupeve kriminale, të kamufluara kryesisht në emër të njerëzve anonimë, por të besuar, me qëllim për t’i shpëtuar nga sekustrimi.

Gjatë bisedave mes dy figurave të krimit, Ervis Martinaj dhe Leonard Duka, dy ish miqve të kthyer në armiq të përbetuar, flitet edhe për disa pasuri të përbashkëta, produkt i aktivitetit kriminal.

Mes të tjerave, Martinaj dhe Duka flasin edhe për dy hotele me vlerë miliona euro në Rinas dhe ish Bllok.

Bëhet fjalë për Hotel Zeus në Rinas, pasuri kjo e fshehur e Vis Martinajt dhe Leonard Dukës, për të cilën bisedojnë për t’a shitur, me qëllim që Martinaj të shlyejë disa detyrime financiare që ka ndaj Dukës, detyrime që duket se janë bërë edhe shkaku i përplasjes mes tyre.

Nga verifikimet rezulton se Hotel Zeus në Rinas ose Vila Zeus është vendosur në emrin e shtetases Mirela Kurti, person i besuar i Ervis Martinajt.

Ervis Martinaj dhe Leonard Kurti bisedojnë edhe për një tjetër pasuri, një hotel dhe qendër Spa, e quajtur Hotel Billionaire në ish Bllok, një pasuri me vlerë miliona euro, produkt i trafikut të drogës.

Nga rikuperimi i bisedave në aplikacionet Sky zbulohet se edhe bosi i krimit Durim Bami ka gjithashtu një hotel me vlerë miliona euro në Rinas, kamufluar në emrin e një biznesmeni. Durim Bami ka gjithashtu disa lokale dhe restorante në Tiranë dhe zona të tjera të Shqipërisë, pasuri këto produk i aktivitetit kriminal.

Mbetet për t’u parë nëse SPAK i ka identifikuar dhe dokumentuar këto dhe pasuri të tjera, dhe nëse do të nisë procedurat e sekustrimit. Prapaskena mëson se figurat kryesore të krimit janë vënë në lëvizje përmes njerëzve të tyre duke i tjetërsuar dhe ndryshuar pronarët në letra të këtyre pasurive, me qëllim për të humbur gjurmët, për t’i shpëtuar nga sekustrimi.


bottom of page