top of page

Patentat: Nuk rritet çmimi më 1 mars


Te mjekët e familjes, poliklinika, autoshkolla, ka dyndje njerëzish të keq informuar që po nxitojnë të mbarojnë gjithë procedurat që u duhen për tu regjistruar në kursin e patentës përpara datës 1 mars. Ata kanë dëgjuar se pas shkurtit, çmimi i lejeve të drejtimit për automjete do të dyfishohet deri në 85 mijë lekë. Që prej të hënës Gazetasi.al kanë komunikuar me disa autoshkolla të cilat thanë se nuk mund të regjistrojnë më kursantë pranë zyrave të DPSHTRR.

“Prej pasdites së të hënës, nuk regjistrojmë dot sepse është bllokuar regjistrimi në DPSHTRR.”


Kjo situatë i ka bërë më të fortë dhe më të besueshëm zërat se në fillim të marsit patenta do të kushtojë 85 mijë dhe enkas regjistrimi nuk funksionon. Por askush nga qytetarët nuk di të thotë me saktësi se nga e mori vesh lajmin e saktë.

Në fillim të javës së kaluar ishte vetë Drejtori i DPSHTRR , Blendi Gonxhja që lajmëroi publikisht këtë rritje disafish të çmimit të patentës pa përcaktuar një ditë. Në një reagim të detyruar pas pakënaqësisë, ai lajmëroi se çmimi i ri nuk do të aplikohet menjëherë.

Por kjo nuk i shmangi radhët dhe dyndjet! Marsi u kthye në akthin e qytetarëve dhe një stres i paparë për mjekët e familjes dhe poliklinikat.



bottom of page