Kryebashkiakët tanë po u krijojnë vështirësi nxënësve në disa shkolla, sepse i lënë riparimet dhe bojatisjet pas nisjes së vitit mësimor. Por, çështja e shkollës Skënderbeu në Krume është më keq, sepse vonesa e ndërhyrjes lidhet me zvarritjen e tenderit si pasojë e manipulimeve.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt ‘Rikonstruksion i Gjimnazit “Skënderbeu”, Has’, i cili po gllabëron 974 milionë lekë. Nëse marrim parasysh përfshirjen e TVSH, kontrata pritet të jetë me vlerë më të lartë.
A duhen vërtetë kaq shumë lekë kur bëhet fjalë për shkollën në foto? Objekti është në gjendje të mirë, bazën dhe çatinë e ka në gjendje të qëndrueshme, por ka nevojë për suvatime, tavane dhe sistem ngrohës, sipas përshkrimit të projektit.
I ftohti në Has nis më shpejt se në qytetet e tjera, por kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, e ka zvarritur tenderin qysh nga muaji maj dhe vetëm tani i ka hapur dritën jeshile punimeveJu kujtojmë se gara e parë për këtë prokurim është hapur në 14 maj 2024 dhe parashikohej që të të mbyllej me 30 maj, kur duhej të nënshkruhej kontrata dhe të niste puna.
Por procedurat u ndërprenë, pasi shkeljet u denoncuan në KPP. Denoncuese ishte firma “Kevin Construksion”, e themeluar nga ish-kryetari i Kukësit, Safet Gjici. Por, kujtojmë këtu se në vitin 2014, Safet Gjici, pasi u emërua prefekt, ia kaloi aksionet e kompanisë vëllait të tij, Lavdrimit.
I mësuar më parë që t’i merrte tenderat si vëllai i kryetarit, tashmë duket se është lënë mënjanë. Nga denoncimi i tij mësojmë metodat që përdorin zyrtarët e tenderave për të nxjerrë fituese kompaninë që ata e kanë paracaktuar.
Në ankesë shkruhej se “kriteret e kualifikimit janë vendosur në mënyra dhe sasi të tillë që nuk kemi shans të marrim pjesë në garë”. Konkretisht kompania kundërshton kriterin ku kërkohet që kompania të ketë 100 punonjës, kur janë përfshirë edhe specialistët e certifikuar që të jenë të regjistruar të paktën në 3 muajt e fundit.
Gjithsesi pas këtij denoncimi, komisioni i Dautit u detyrua të pezullojë vlerësimin e ofertave dhe ta rihapë prokurimin më 5 gusht 2024 deri më 28 gusht, ku është mbajtur edhe faza finale.
Duke qenë se u dorëzuan 5 oferta, pritej që të zhvillohej një garë e rregullt, pasi bëhet fjalë për një fond të konsiderueshëm.
Por gjatë kësaj periudhe Dauti i kishte skualifikuar nga gara 4 oferta, duke lënë për në finale vetëm njërën prej tyre. “2 N” sh.p.k dhe BOE “AEK MUNELLA” sh.p.k. & “BE – IS” sh.p.k kishin ofertat më të lira, por janë skualifikuar për mungesë të licencës për mbrojtje nga zjarri dhe licencën e veçantë për kualifikim.Me këto argumente Dauti e çliroji nga konkurrentët ofertën e bashkimit të operatorëve “T&J Construction” sh.p.k. – “VIANTE Konstruksion” sh.p.k. me vlerë 950 milionë lekë (pa TVSH), të cilat përfituan kontratën në saje të favorizimit. Për mungesë konkurrence dhe për ofertën më të shtrenjtë Open Data Albania i ka vënë tenderit ‘Flamurin e Kuq’. Kjo është shenja e riskut të korrupsionit.Pas një kërkimi në QKB na rezulton se “T&J Construction” sh.p.k. , me pronar Luan Manahasën nuk ka fare asnjë licence, ndërsa “VIANTE Konstruksion” sh.p.k. me pronar Gjergj Bezatin ka disa licenca, por jo ato që kërkohen në kriteret e tenderit.
Epo ‘ca të nënës e ca të njerkës’ i ka gjykuar Dauti. Dhe tani që pazari u mbyll, të shpresojmë të nisë rikonstruksioni i shkollës dhe të mos pengohen nxënësit në mbarëvajtjen e tyre.