top of page

Porti i Durrësit, “hani pa porta” i koncesionarëve që e zhvatën në vite


Nga MIKELJANA PRENJA

Kur përmendim Durrësin shumë gjëra na vijnë në mendjes: bregdeti, plazhet ranore me pisha, gjiret shkëmbore, zbulimet arkeologjike dhe shumë bukuri të tjera që ka ky qytet bregdetar. Jeta e qytetit në shekuj lidhet ngushtë me portin e ndërtuar panë tij që lidh vendet e Ballkanit me vendet e Bashkimit Europian.


I konsideruar gjithmonë si porti hyrës për në ballkan, ky Port ka patur një progres të dukshëm, si në infrastrukturë edhe në tekonologji. Tashmë këtë port e presin dy projekte madhore, ai i “Yachts & Marina”, si dhe projekti i Portit Tregtar të Durrësit në Porto Romano.


Bërja publike e projekteve madhore të Qeverisë shqiptare në infrastrukturën portuale, veçanërisht atë të Durrësit, ka ngjallur interes të madh publik. Vëmendja politike që mori ridimensionimi i Porti aktual të Durrësit dhe kthimi i tij në Marinë turistike ndër më të mëdhatë në Mesdhe, si dhe projekti i Portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano, kanë bërë që hera-herës të krijohej tymnajë dyshimi me atë se çfarë realisht po ndodhte në këtë proces.

Por le të bëjmë një pasqyrim të situatës aktuale dhe “ciklonit” që ka kaluar kjo Portë e Shqipërisë ndër vite?


Në 2013 Porti i Durrësit, tre ditë para zgjedhjeve elektorale iu dha me koncesion një kompanie private që kishte fituar tenderin, duke i dhënë kështu goditje të ardhurave publike dhe fuqisë vepruese të shtetit. Një problem që ka shoqëruar ndër vite Portin e Durrësit është edhe ndotja e madhe që i ka shkaktuar qytetit. Përpunimi në ambient të hapur i mallrave rifuxho si qymyri, kromi, skrapi, etj, që shpesh janë bërë objekt të reagimit të instancave mjedisore lokale, ishte si të thuash një “gangrenë mjedisore” në qytet dhe në plazhet e bukura përreth.


Një tjetër problem që nuk gjeti zgjidhje ndër vite është edhe Porto Romano, i vendosur vetëm 6 kilometra në veri të qytetit. Në 2008, qeveria e përcaktoi zonën si një park energjetik dhe pas kësaj u krijuan kushtet për hartimin e një masterplani të ri. Sipas masterplanit të atëhershëm, parku energjetik do të zinte një sipërfaqe prej 810 hektarësh dhe do të përfshinte disa impiante energjetike dhe industriale. Por në realitet, një gjë e tillë nuk ndodhi. Po në të njëjtin vit, në nëntor të 2008 një tjetër shpresë u ndez për Porto Romanon.


Qeveria atë kohë miratoi ndërtimin nga gjigandi energjetik italian “Enel” të një linje ndërkombëtare nëndetare të transmetimit të energjisë elektrike drejt Italisë. U propozua edhe ndërtimi i një termocentrali me qymyr, por dy vjet më vonë hoqi dorë nga projekti, për shkaqe dhe arsye të panjohura.

bottom of page