Një 23-vjeçar është arrestuar nga policia në Kuçovë pasi në makinën me të cilën po lëviste u gjet një sasi e vogël kanabisi, ndërsa në banesë iu gjetën 20 kg kanabis, farat narkotike, armët e zjarrit dhe municionin luftarak.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Perondi”, u arrestua në flagrancë shtetasi Vilson Leshtori, 23 vjeç, banues në fshatin Perondi, Kuçovë.
“Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit V. L., shërbimet e Policisë gjetën 20 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, 1153 fara të dyshuara narkotike cannabis sativa, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri pushkë, 2 krehra me fishekë dhe një sasi tjetër municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ushtronte veprimtarinë kriminale të prodhimit të lëndës narkotike kanabis dhe të shitjes së saj në doza, në Kuçovë dhe në Berat,” njoftoi policia.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.