Inceneratorët që shtrihen nga Elbasani, në Fier dhe në Tiranë janë një nga aferat më të mëdha në vend.
Skandali i tyre thellohet dita ditës, ndërsa sot është bërë një tjetër denoncim, që lidhet me atë të Fierit.
Punonjësit e inceneratorit të Fierit kanë 6 muaj pa marrë rrogat dhe për këtë arsye kanë bllokuar mjetet që depozitojnë mbetjet urbane pranë inceneratorit për t’i kapsuluar.
Pra, ndërkohë që kokat e aferës, që janë shpallur në kërkim ndërkombëtar vijojnë të pasurohen duke marrë miliona euro nga taksat e shqiptarëve, punonjësit e inceneratorit të Fierit nuk paguhen prej 6 muajsh.
Denoncim është bërë nga deputeti Luan Baçi, i cili deklaron se administratori Faraudin Arapi dhe kryebashkiaku Armando Subashi po i bëjnë presion punonjësve të hapin portat për depozitimin e mbetjeve.
Denoncimi i plotë:
Inceneratori i Fierit, është afera më e madhe korruptive e Kryeministrit dhe e Subashit që do qeverisë bashkinë e Fierit për herë të tretë!
Sot në këto momente punonjësit e inceneratorit, kanë bllokuar mjetet që depozitojnë mbetjet urbane pranë inceneratorit, jo për djegie, se nuk bëhet fjalë për këtë, por për t’i kapsuluar në gropa të hapura rreth inceneratorit!
Punonjësit kanë 6 muaj pa marrë pagat, mashtrohen dhe gënjehen nga kryetari i bashkisë, Subashi i Ramës dhe nga administratori i vendosur pas vënies në sekuestro të inceneratorit nga prokuroria, i famshmi Farudin Arapi, që administroi firmat piramidale të vitit ’97 dhe që nuk u ktheu asnjë qindarkë qytetarëve që humbën kursimet e tyre në këto firma fantazmë!
Subashi dhe Arapi po u bëjnë presion punonjësve që të hapin portat për depozitimin e mbetjeve dhe janë vënë në vështirësi!
Punonjësit e inceneratorit kërkojnë mbështetjen e mediave, për ta bërë publik shqetësimin e tyre!
Në një kohë kur qeveria kalon miliona euro, për pronarët në kërkim ndërkombëtar, punonjësit nuk marrin pagat e tyre që janë thërrime para fitimeve që marrin të korruptuarit e Ramës!
SPAK duhet të shpejtojë hetimet dhe të marrë nën hetim përgjegjësit kryesorë të kësaj afere korruptive, me përmasa shumë të medha dhe dëm të madh ekonomik!