Braçe, Rama dhe të tijtë duan një Blerim Çelë të kohëve moderne...
Erion Braçe ka deklaruar dje, duke u ankuar, se është përfolur në media, vetëm se ka ushtruar kritika dhe propozime ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në këtë sens, Erioni është sjellë si një viktimë e asaj që ai quan sulm të kondicionuar ndaj tij. Por duket se situata është krejt tjetër.
Erioni megjithëse artikuloi fjalë për fjalë artikullin e Pamfletit, nuk e përmendi. Megjithatë, duke ju shmangur retorikave të tij thuajse denigruese, po i them drejtë për drejtë:
Erion Braçe, është një nga udhëheqësit e mazhorancës qeverisëse. Anëtar i kryesisë së PS-së, drejtues i grupit dhe kryetar komisioni, që ka ndërmarrë prej kohësh një fushatë kritikash ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit.Ky qëndrim, nuk mund të kalonte lehtë në publik, pasi së pari është lajm, dhe së dyti, si lajm, ia vlen për t’u analizuar.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, me Kushtetutë është një institucion i pavarur. Institucion, që auditon financat e shtetit shqiptar, në modelin evropian, e më afër atij italian të Corte degli Conti.
Në Shqipëri, KLSH e nisi veprimtarinë si një ‘kobure’ e Sali Berishës me Blerim Çelën në krye, i cili u bë njeriu që nuk auditonte qeverinë e tij, por kundërshtarët politikë. Fatos Nano u burgos pas një denoncimi të Blerim Çelës; gazeta “Koha Jonë” u sulmua pas një inkuizicioni të Blerim Çelës e kështu me radhë.
Nami i keq i KLSH-së së Blerim Çelës, bëri që në vitin 1997 të firmoset Pakti i Sant Egidios, sipas të cilit KLSH i takon opozitës, dhe Fatos Nano ja dha një përfaqësuesi të Ballit Kombëtar, si Mustafa Kërçuku.
Berisha e prishi paktin, duke emëruar në krye të këtij institucioni, një ish-deputet të tij, Bujar Leskaj.
KLSH, pavarësisht të mirave e të këqijave krijoi një traditë institucionale. Traditë që me drejtimin aktual të Arben Shehut, u ruajt.
KLSH nuk është as SPAK dhe as prokurori, por një institucion që gjurmon me sa mundet shkelje financiare. Të cilat i adreson aty ku duhet. Ndaj amerikanët dhe BE e kanë përkrahur dhe mbështetur, madje dhe me fonde e trajnime.
Sulmi i Erion Braçes kërcet sepse është politik, politik sepse nuk i pëlqejnë përfundimet e raporteve të KLSH-së. E ky është komplimenti më i madh për një institucion të pavarur. Nuk mund dhe nuk duhet t’i pëlqejë qeverisë dhe mazhorancës raporti i një institucioni që ajo nuk e kontrollon. Por nuk mundet e nuk duhet që për këtë të sulmohet.
Përse Braçe dhe kolegët e tij, nuk analizojnë përfundimet e auditit të KLSH-së, me argumente?
Sepse në fund të fundit ky është thelbi. Nëse një mazhorancë sulmon KLSH, përcjell një sinjal politik për të mos u audituar, për të mos u denoncuar, për të mos zhbiriluar në aferat e abuzimit e korrupsionit.
Erion Braçe është deputet i vjetër, ka qenë gazetar dhe e di që nga një hetim apo edhe opinion qoftë ai, edhe pse jo i plotë, asnjë gjë e keqe nuk i vjen mazhorancës apo qeverisë. Vetëm nëse do që mazhoranca të mos ketë njerëz që ta kontrollojnë. E këtu kemi të bëjmë me një tjetër mesele. Këtu kemi të bëjmë realisht me një sulm institucional, që KLSH-në e duan brenda qeverisë, pra duan një Blerim Çelë të kohëve moderne