Qeveria e Edi Ramës tenton të zhdukë çdo gjurmë të bashkëpunimit financiar me studion ligjore “Omnia Strategy” të Sheri Bler, bashkëshorten e mikut të kryeministrit shqiptar, Toni Bler.
Një rast tipik është fshehja e çdo lloj informacioni për një pagesë në shumën 495 mijë euro, të cilën Rama dhe vartësit e tij kanë paguar për shërbimet e studios ligjore britanike, në çështjen e konfliktit mes qeverisë dhe kompanisë koncesionare “Rapiscan”. Në vitin 2015, kabineti “Rama” tentoi të ndërpriste kontratën koncesionare për skanimin e kontejnerëve. Por, pasi shoqëria private iu drejtua Arbitrazhit Ndërkombëtar, qeveria u tërhoq dhe rinegocioi kushtet e kontratës. Ky vendim u mor edhe pas konsulencës ligjore nga “Omnia Strategy” e Sheri Blerit.
Megjithatë, për raportin financiar mes zonjës Bler dhe Edi Ramës nuk gjendet asnjë e dhënë zyrtare.
Të paktën, këtë thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të publikuar së fundmi mbi auditimin e Kontratës Koncesionare “për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera”, të nënshkruar në vitin 2013 dhe të ndryshuar në vitin 2015.
KLSH deklaron se ka mësuar nga media se qeveria, nëpërmjet Avokaturës së Shtetit, ka nënshkruar kontratë konsulence tregtare me “Omnia Strategy” për çështjen e “Rapiscan” dhe për këtë është paguar 495 mijë euro dhe se për këtë shërbim është paguar nga Fondi Rezervë i Qeverisë.
Por, siç thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, “në dokumentacionin e vënë në dispozicion nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk u gjet asnjë informacion për këtë shërbim të paguar ekspertit “O. S.” LLP nga fondi rezervë në shumën 495 mijë euro”. Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se qeveria e ka paguar studion e Sheri Blerit për këtë shërbim.
Megjithatë, vijon të mbetet mister se përse Edi Rama dhe ministrat e tij tentojnë të fshehin kushtet e kontratës dhe çdo informacion tjetër që lidhet me atë kontratë.