top of page

Rahim Spahiu fshin 8 firma për Gëzim Islamin, i jep 270 MLN lekë për kanalizimet e Peshkopisë


Kryebashkiaku Rahim Spahiu ka zgjedhur patriotin e tij Gëzim Islami për të riparuar rrjetin e kanalizimeve të qytetit të Peshkopisë. Spahiu vazhdimisht firmos prokurime ku duken qartë fituesit e paracaktuar. Në këtë renditje hyn edhe tenderi i shpallur më datë 23 prill 2024, me objekt “Studim, projektim, ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura dhe impianti i pastrimit të qytetit Peshkopi”.

Në dokument theksohet se do të bëhet rikonstruktimi i kanaleve ekzistuese.

“Rikonstruksioni dhe ndërtim i rrjetit të kanalizimeve në gjendje të amortizuar, kolektorët kryesorë përfshirë pusetat në të gjithe zonën e studimit. Masat përfshijnë rehabilitimin/ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve dhe ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura”.


Bëhet fjalë për kanalizimet në pjesën e qyteti. Kjo është një sipërfaqe relativisht e vogël dhe ndoshta peshën kryesore e zë vendosja e impiantit të pastrimit.

Qyteti i Peshkopisë ka një rrjet të kanalizimeve të ujërave të ndotura, tejet të amortizuar, ku nuk janë bërë ndërhyrje në 25 vitet e fundit. Aktualisht ujërat e ndotura janë problem, pasi edhe derdhen në përroin e Peshkopisë (përroi i llixhave), nuk kanë një Impiant të Pastrimit të tyre.

Ky tender është një nga ato rastet kur sipërmarrësit i jepet edhe guri edhe arra në dorë. Pra, firma duke qenë se do ta bëjë vetë projektimin, do të përcaktojë po ashtu vetë kostot e ndërhyrjes në rrjet.

Dhe duke qenë se fitimi është i madh, pjesëmarrja në tender ka qenë e lartë. Fillimisht janë paraqitur 9 oferta për këtë prokurim, por 8 prej tyre janë skualifikuar menjëherë nga gara dhe ajo çka bie në sy është se 4 oferta janë eliminuar me argumentin se ka ofertë më minimale të përllogaritur sipas AK, pra anomalisht të ulët.

Duket sikur bashkia kërkon ta bëjë riparimin e kanalizimeve patjetër me koston më të lartë. Duke shfrytëzuar një ndryshim të bërë në ligj për rastin e ofertave anomalisht të ulëta, bashkia nuk i ka dëgjuar kompanitë se si e kanë llogaritur vlerën e propozuar. Tashmë me ndryshimin e bërë në ligjin mbi prokurimet, kur fondi limit është mbi vlerën e ulët, vendimi për skualifikim për “oferta anomalisht të ulëta” merret pa i thirrur kompanitë për shpjegime.


Nëse shohim në dokument oferta e bashkimit të operatorëve HUK-Projekt” sh.p.k & Shoqëria “A. SH. Engineering” sh.p.k. & Shoqëria “ERSI/M” sh.p është në vlerën 23,920,000 lekë të reja, pra rreth 1 milionë lekë më shumë se oferta e kompanisë fituese, që kishte vlerën 23,917,750 lekë të reja. Ndërsa 3 oferta të tjera janë minimalisht 2 apo 4 milionë lekë më të ulëta.

Atëherë nëse Bashkia gjykon se janë vlera shumë më të ulëta se fondi limit 27 milionë lekë, pse nuk e ka përjashtuar edhe ofertën e firmës “ERALD-G” sh.p.k.?


Tenderi është vlerësuar me “Flamur të kuq” nga Open Data Albania, duke treguar riskun e korrupsionit. Kështu, pasi u eliminua tërësisht konkurrenca, më datë 29 maj 2024 është njoftuar se fitues i këtij tender është pikërisht “ERALD-G” sh.p.k, në pronësi të Gëzim Islamit.


bottom of page