top of page

Rakip Suli fshin 23 firma dhe i jep 567 MLN lekë Ardit Liçajt për asfaltin e rrugicës 2 km

Kryetari i Kamzës, Rakip Suli, e paguan një rrugicë fshati më shtrenjtë se autostradat. Kryebashkiaku e ka metodë të preferuar përdorimin e tenderave të rrugëve për të dërguar paratë e taksapaguesve drejt biznesmenëve të favorizuar. Në tre vitet e fundit pothuajse çdo javë e shohim Sulin të zhvillojë tendera për rikonstruktime rrugicash. Me kaq fonde do ta kishte sistemuar çdo cep të Kamzës dhe Paskuqanit, por realiteti tregon të kundërtën.

Rrugët që ne kemi shqyrtuar nga afër, janë segmente të shkurtra të riparuara shkel e shko, që nuk kanë as trotuare as ndriçim dhe nuk janë të niveluara.


Së fundmi, më datë 23 prill 2024, kryetari Suli ka firmosur kontratën e tenderit me objekt ‘Ndërtim Rrugët “Shkodra+ rruga pingul me rrugën Jon+Rruga e Re + seg pingul me rr. Gjirokastra “Valias’. Sipas projektit, bëhet fjalë për gërmimin e dherave dhe hedhjen e 4 cm asfalt në 2 km rrugica në disa zona periferike.

Për të bërë këto arnime që i përdor edhe për “ushqim elektoral”,  Suli ka planifikuar të shpenzojë 567 milionë lekë. Mos u habisni! Tenderët e Sulit gjithmonë janë sipër 500 milionëshit edhe pse mund të jenë rrugica të shkurtra dhe kërkohen ndërhyrje minimale.


Duket edhe në hartën më poshtë, se bëhet fjalë për një rrugë në periferi dhe dy rrugica të vogla pingul me të. Me fond më të vogël do t’i kishte mbyllur bashkia këto punime, madje me punonjësit e saj.

Gjithsesi, Sulit i intereson ta “menaxhojë” përmes tenderit këtë 567 milionë lekësh.


Nuk ishin pak, por 24 kompani që i paraqitën me oferta për këtë projekt të shtrenjtë! Në fakt, nuk është zhvilluar asnjë garë, pasi edhe ky tender është bërë dhuratë. Kryebashkiaku i Kamzës ka skualifikuar 23 ofertat nga kompanitë e tjera dhe në mbajtjen e tenderi la si propozim të vlefshëm vetëm atë të firmës “B93 II”, në pronësi të Ardit Liçajt.

Theksojmë këtu se firmat “L.T.E CONSTRUCTION”, “NIKA” dhe “RRUGA URA ASFALTIM NR.2 ELBASAN & INERTI” kishin oferta shumë më të lira.

Duke mos patur asnjë konkurrent përballë, më datë 1 mars 2024, nuk është zhvilluar ndonjë procedurë konkurrimi sipas ligjit. Ndërsa më datë 23 prill, pasi tenderi ishte lënë në heshtje, kryetari Suli nxori nga sirtari emrin e fituesit. Nuk ka asnjë çudi, që fituese është shpallur B93 II, e vetmja firmë e favorizuar në këtë prokurim.


Kjo është një skemë e zakonshme e tenderëve të Sulit duke vepruar me fitues të paracaktuar. Prokurimi është vlerësuar nga Open Data me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.

Kujtojmë se në 8 nëntor 2023, kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli u paraqit për të disatën herë në SPAK. Prokuroria po kryen hetimet ndaj Suli dhe zyrtarëve të tjerë për disa vepra penale, siç janë “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Në kuadër të kësaj çështje, pasi SPAK ka sekuestruar të gjitha procedurat e ndjekura nga zyrtarët ka thirrur edhe z.Suli të japë shpjegime.

Po ashtu, nga hetimet ka rezultuar se ka disa raste të abuzimeve me kompensimet e fondit të rindërtimit.

bottom of page