top of page

Rakip Suli i fal 460 MLN lekë Mehdi Lalës për asfalt në Babrru, tenderi skuqet nga shkeljet


Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli, u është futur me kokë fondeve të rrugëve, duke shpërndarë qindra milionë lekë çdo javë me procedura prokurimi të korruptuara.

Këtë herë, kryetari po merr nga xhepat e qytetarëve 460 milionë lekë për tenderin me objekt ‘Ndërtim Rrugët ” Ndreko Rino+ Mustafa Xhani”. Gara formalisht është mbyllur më datë 29 janar 2024.

Për këtë tender kanë paraqitur oferta 17 firma. Kështu ndodh në tenderët e Sulit, ku shumë operatorë interesohen të fitojnë projektet për shkak se përfitimi është i lartë, por ky e paracakton fituesin.



Këtë herë kjo ‘dhuratë’ i ishte dhënë firmave “SAI COMPANY” shpk – “MELA” shpk, të cilat me ofertën e tyre u shpallen fituese në mungesë të konkurrencës.

Duke qenë se këto 16 kompani Suli i kishte skualifikuar që në fazën e parë, pa iu dhënë argumentet e duhura ligjore, në ditën finale shkëlqeu zarfi me ofertën e dy kompanive që mbeti mbi tavolinën e kryetarit.

Janë kaq shumë lekë sa do të mjaftonin vetëm këto kartëmonedha për t’i mbuluar dy rrugicate shkurtra. Fondi i caktuar do të shërbejë për të hedhur 4 cm asfalto-beton tek dy rrugica që sëbashku kanë një gjatësi prej 985 metra, pra as 1 km rrugë nuk është. Rrugicat nga 4 metra të gjera secila ndodhen në Kodrën e Kuqe në Babrru.



Për këto abuzime, Open Data i ka vendosur ‘Red Flag’ këtij tenderi, si shenjë e riskut të korrupsionit. Po të shohim cilët janë bashkëpunëtorët e Sulit (ata që fituan) në këtë prokurim, vërejmë që rreziku është edhe më i lartë për cilësinë e punimeve dhe afatin e kryerjes së tyre.


MELA është kompania me pronar Mehdi Lalën, i cili njihet për aferat me tenderët.

Sakaq, edhe më herët ka denoncuar se “Mela” shpk nuk është e pajisur me licencë për këto shërbime dhe pse i ka si objekt të regjistruar.

Sepse nga kërkimet te QKB, licenca e vetme që disponon kjo kompani është I.2.A për shërbime ekspertize. Zakonisht Lala merr pjesë nëpër gara duke bërë “bashkim” operatorësh me firmën e tij.

Këtë e vërteton edhe fakti që këtë herë ka bashkëpunuar me një kompani ‘fantazmë’. Firma tjetër fituese e tenderit “SAI COMPANY” me pronar Selami Bratin është themeluar në qershor të viti 2022 dhe nuk figuron të ketë asnjë eksperiencë tjetër në kryerjen e këtyre shërbimeve. Gjithashtu, nuk raporton asnjë të dhënë për xhirot vjetore dhe nuk është e pajisur me asnjë lloj licence. Si Mund ti jepet ky fond i madh një kompanie pa eksperiencë? Arsyeja është vetkuptueshme.



“Mela” Shpk me administrator Mehdi Lalën rezulton përfituese nga fondet e rindërtimit nga tërmeti në Shijak, por duke mos kryer punimet për banesat e dëmtuara. Kjo kompani bashkë me katër firma të tjera u kontraktuan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. FSHZH thotë se për bashkinë Shijak u parashikua ndërtimi/rindërtimi i 793 banesave individuale. Në fakt rezultoi se 404 emra përfituesish nga Bashkia Shijak mbetën të patrajtuar pasi u abuzua me fondet.

Deri në vitin 2020, Mela shpk ka të regjistruara 17 bllokime për sekuestro nga studiot e përmbarimit gjyqësor për mospagim borxhesh.

Kur papritur kompania Mela u fut në lojë për fonde të mëdha publike. Merita u takon zyrtarëve të tillë si Rakip Suli.

Kryebashkiaku i Kamzës është marrë në pyetje dy herë nga prokuroria gjatë muajit nëntori 2023. SPAK po kryen hetimet ndaj Suli dhe zyrtarëve të tjerë për disa vepra penale, siç janë “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Në kuadër të kësaj çështje, pasi SPAK ka sekuestruar të gjitha procedurat e ndjekura. Po ashtu po hetohet për tenderat e pastrimit dhe shpërdorimin e fondeve të rindërtimit nga tërmeti.

bottom of page