Abuzimi me paratë e taksapaguesve përmes tenderëve të rrugëve është kthyer në mjeshtëri nga kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli. Prej më shumë se një viti, të paktën në njëherë në javë, denoncohet në media nga një tender me “Flamur të kuq” i Bashkisë Kamëz.
Këtë herë Suli ka siguruar nga buxheti 243 milionë lekë. Bëhet fjalë për tenderin me objekt ‘ Ndërtim Rrugët “Burimi” + Rr. “Gucia” + Rr. “Faik Hoxhaj” (ish Miqesia)+ 3 seg. pingul me rrugën “Faik Hoxhaj”. Është e njëjta linjë si në tenderët e mëparshëm, do të shtrohen 4 rrugica në lagjet më në periferi të Kamzës dhe lekët avullojnë ende pa u shtruar objekti.Këtë e shohim edhe në fotot e mara nga dokumentet e tenderit, ku thuhet se janë rrugë lagjeje, që nuk është vënë kurrë dorë. Në fakt aty duhej ndërhyrë më parë për shkak se rrugët janë të ngushta dhe pa kanalizime, duke qenë se investitorët kanë ndërtuar banesat pa kriter dhe kanë tejzgjatur sipas dëshirës muret rrethuese
Në këto kushte puna që do të bëhet në këto 4 rrugica është prishja e mureve rrethuese të disa banesave për të zgjeruar rrugën, do të krijohen kanalet kulluese, si dhe do të shtohen me çakëll dhe në fund 5 cm asfalt. Kryetari Suli që tashmë e ka bërë rrugë organizimin e tenderave abuzivë, ka përllogaritur që të shpenzojë 243 milionë lekë.
Letra e tenderit janë firmosur nga me autorizim nga nënkryetarja e Bashkisë, Rebeka Sulejmani, por pa miratimin e Sulit, nuk bëhet asgjë në këtë institucion. Më datë 6 shtator është hapur tenderi fiktiv dhe është mbyllur më datë 23 shtator 2024.
Në fakt u paraqitën me oferta 15 kompani, çka mund të sillte një garë të fortë.
Por ndodhi e kundërta! Komisioni i vlerësimit të ofertave ka fshirë nga gara 14 prej kompanive, me argumentin se kanë mungesë të disa dokumenteve, si deklarime punonjësish apo mjetesh. Argumenti nuk qëndron plotësisht sepse sipas ligjit kompanive u jepet mundësia t’i korrigjojnë mangësitë brenda afatit. Kështu, i është hapur rruga për ta marrë kontratën firmës PE – VLA – KU në pronësi të Vladimir Pjetërgjokajt.
Open Data Albania i ka vendosur tenderit “Flamurin e Kuq”, për riskun e korrupsionit. Kjo shenjë vendoset për arsye se u eliminuan të gjithë pjesëmarrësit përveç fituesit. Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët e tenderave favorizojnë Pjetërgjokajn.
Përmendim këtu, që kompania ka qenë pjesë e projektit tek Unaza e Madhe.
Më datë 5 maj të vitit 2023, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka mbyllur tenderin me objekt “Plotësimi, Rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Rehabilitim i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja Loti 3”, që është pjesë e projektit të Unazës së Madhe. Për këtë tender është vënë në dispozicion fondi limit me vlerë 4 milionë euro me afat 1 vit.
Gjatë kohës që u mbajt gara u dorëzuan 5 oferta me vlera të ndryshme. Por, në mes tyre pa e shtyrë shumë gjatë shqyrtimin, ish kreu i ARRSH, Evis Berberi zgjodhi firmën “PE – VLA – KU” SHPK. Ndërkohë, që nuk e ka mbaruar akoma këtë punë publike, kjo kompani merr tendera të tjerë, duke vënë në dyshim mbarimin në afat të punimeve.