TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike e vlerësoi punën e bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pasi përmes raporti i publikuar prej këtij institucioni ka qenë bazë për hetimin nga ana e Prokurorisë Antikorrupsion të dosjes së Inceneratorëve
Gjatë diskutimeve për raportin e KLSH, Tabaku nënvizon se “sot kushdo që vazhdon që nuk jep përgjigje dhe paguan inceneratorët vazhdon bëhet pjesë e këtij krimi dhe abuzimi me buxhetin e shtetit!”, tha Tabaku.
Fjalën e saj, Deputetja Demokrate e nisi me çështjen e studentëve.
“Sot është fatkeqësi që seanca e fundit e parlamentit mbyllet me protestën e studentëve dhe me thirrjet e tyre për ligjin abuziv që po kalon në parlament. Sot është fatkeqësi që ata janë të pafuqishëm për ta ndryshuar realitetin, qoftë dhe për t’u bërë pjesë e diskutimeve për një ligj që i prek ata në vetë të parë”, tha Tabaku.
“Kisha shpresuar që shumë kolegë socialist të ndershëm, sepse ka dhe dhe nga ata që mendojnë ndryshe, ta kishin penguar këtë ligj që të vinte sot në parlament. Sot parlamenti mund të diskutonte në mënyrë normale për çështje të rendit të ditës”, vijoi Tabaku.
“Lidhur me diskutimin e raportit të KLSH-së, falenderoj drejtuesin e KLSH-së për raportin që paraqiti dhe për gjetjet në kohë. Raporti i KLSH-së është bërë bazë për hetimin dhe akuzat e SPAK-ut. Raporti i KLSH-së ka vërtetuar që në të paktën dy raste Arben Ahmetaj dhe Erion Veliaj kanë shkelur procedurat, kanë abuzuar me buxhetin e shtetit, kanë angazhuar më shumë fonde sesa duhej nga buxheti i shtetit për aferën e inceneratorëve dhe në veçanti për atë të Tiranës”, shton Tabaku.
“Kur pyesim se çfarë është një shtet i kapur, këtë kemi parasysh. Ky parlament ka ndryshuar buxhetin për inceneratorët, pasi Ahmetaj dhe Veliaj kanë deklaruar se janë fondet janë në buxhet. Kolegët socialist kanë ardhur dhe kanë ngritur kartonët për të ndryshuar buxhetin, kanë ndryshuar ligjin për prokurimet publike, ligjin e koncesioneve për të mbrojtur ndryshimet e procedurave nga Ahmetaj. Por jam e sigurtë që ka kolegë të ndershëm, por kushdo që sot pasi ka dëgjuar atë çfarë ka bërë shteti shqiptar për ta mbrojtur këtë aferë dhe që një shteti i tërë i ka dal për zot 3 personave sot në kërkim, do të kisha shpresuar që disa zëra prej tyre të distancoheshin dhe kjo nuk ka ndodhur akoma”, shpjegoi Tabaku.
Sipas saj, “sot kushdo që vazhdon që nuk jep përgjigje dhe paguan inceneratorët vazhdon bëhet pjesë e këtij krimi dhe abuzimi me buxhetin e shtetit! Ministrja e Financave tha që nuk paguhen inceneratorët nga buxheti i shtetit. Ministrja e Financave ka qenë drejtoreshë tatimesh kur kompanitë e inceneratorëve kanë pasur hetim tatimor për abuzime me TVSH-në dhe ministrja sot vazhdon i paguan”, tha deputetja e PD.
Sipas saj, “ishte dhe një ministër tjetër që thoshte nuk paguhen koncesionet nga buxheti i shtetit, paguhen nga taksat e shqiptarëve. E njëjta fjali! Kujdes znj. Ministre, mos u përdor, se nëse po e bën me vetëdije, po përdoresh pa vetëdije! Kjo është akoma fatkeqësi më e madhe! I keni dal për zot taksës progresive, aty ndahemi për çështje ideologjike, por sot po i dilni për zot taksës së korrupsionit, që ndërkohë që vinit në parlament e miratonit ligje duke u kapur shtetit nga 3 biznesmenë, ish-zv/kryeministri arredonte shtëpitë me fondet e buxhetit të shtetit”, tha Tabaku.
“Sot, ndërkohë që parlamenti diskuton për inceneratorët si aferë e kapur, ish-zv/kryeministri vazhdonte marrëveshjet dhe përdorte buxhetin e shtetit si bankomatin e tij kryesor”, vijoi Tabaku.
Ajo në fjalën e saj, foli edhe për debatin mbi fondet IPARD, të BE për bujqësinë.
“Në seancën e fundit të dhjetorit kam ngritur shqetësimin për përdorimin dhe thithjen e fondeve të IPARD-it nga Ministria e Bujqësisë, ku pata një debat me ministren. Strukturat e qeverisë shqiptare kanë nisur një proces akredimi që në vitin 2010. Ishin gati në vitin 2013, por vetëm në vitin 2018 u certifikuan për të bërë këtë pagesë dhe për të vazhduar të pavarur”, tha Tabaku.
“Ajo çfarë ka ndodhur dje, është një damkë turpi mbi institucionin e AZHBR-së, që nuk e heq asgjë dhe ka cenuar rëndë imazhin. Nuk e di se sa është pagesa për të cilën qeveria shqiptare po akuzohet, por do të ishte në nderin e ministres dhe të qeverisë që të ofronin transparencë se si është krijuar skema piramidale me disa kompani të përfshira me një hetim që ka 4 vite që ecën përpara dhe të paktën 2 vite që mblidhen prova dhe qeveria shqiptare nuk paska pasur asnjë informacion”, u shpreh Tabaku.
“Është cenuar imazhi i shtetit shqiptar, i çdo punonjësi që ka qenë i përfshirë në këtë proces. Relativizimi dhe fakti që thuhet që paska ndodhur dhe në Francë, nuk ndihmon askënd. Qytetarët shqiptarë presin informacion se çfarë ka ndodhur me fondet e AZHBR-së, se si është lejuar skema piramidale me dijeni të plotë dhe pse ka munguar transparenca.
Durimi thonë e ka shpërblimin e mirë! Unë prita 6 vite që ish-zv/kryeministri, i cili ka paguar media, njerëz për të sulmuar këdo që denonconte këtë çështje, të ishte përpara drejtësisë. Shpresoj shumë, që me durim, dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës të shkojë përpara drejtësisë, ashtu siç e meriton! Më vjen mirë që sot ata që atëherë e sulmuan Komisionin Hetimor të inceneratorëve, sot lexon gjetjet e tij. Kushdo që nuk e votoi, sot i del për zot atyre gjetjeve që janë dhe baza e akuzave të SPAK-ut”, u shpreh Tabaku në fjalën e saj.
Kuvendi është në seacën e fundit plenare për këtë sesion. Punimet në Kuvend kanë nisur prej orës 10:00, ndërsa mazhoranca dhe opozita janë përfshirë në debate.