top of page

Raporti i kredive me probleme, i qëndrueshëm edhe në muajin prill


Raporti i kredive me probleme të sektorit bankar u shfaq i qëndrueshëm edhe për muajin prill.

Mbështetur në të dhënat e bankës së Shqipërisë, ky tregues shënoi rritje në nivelin 5.18%, nga 5.15% që kishte qenë në fund të muajit mars.


Raporti i kredive me probleme paraqitet në rritje të lehtë nga niveli 5% ku qëndronte në fund të vitit të kaluar, megjithatë, paraqitet sërish në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishin në nivelin 5.42%.


Një rritje e raportit të kredive me probleme këtë vit ka qenë e pritshme, duke marrë në konsideratë rritjen e normave të interesit, pritshmëritë për një ngadalësim të rritjes ekonomike dhe frenimit të kredisë së re.

Deri tani, rritja duket në përmasa shumë të vogla dhe në një masë të madhe mund të shpjegohet me tendencën e tkurrjes së portofolit total të kredisë, duke filluar nga tremujori i fundit të vitit të kaluar.

Në muajin prill, portofoli total i kredisë për ekonominë kishte vlerën e 710.7 miliardë lekëve, nga niveli maksimal vjetor prej 722.3 miliardë lekësh kur pati arritur në tetor të vitit të kaluar. Ndryshimi i kursit të politikës monetare ka sjellë një ngadalësim të dukshëm të huasë së re, sidomos në segmentin e biznesit, faktor që po ndikon në një tkurrje të portofolit të kredisë.

Por, një ndikim po kaq të rëndësishëm në këtë tkurrje po jep edhe efekti i kursit të këmbimit, me lekun që këtë vit po shënon pozitat më të forta të të gjithë kohërave në kursin e këmbimit me euron.


Në mënyrë të tërthortë, leku i fortë po jep një lloj ndikimi statistikor edhe në rritjen e raportit të kredive me probleme. Megjithëse, në tërësi ndikimi i kursit të këmbimit mbi cilësinë e portofolit të kredisë vlerësohet të jetë pozitiv, duke qenë se ky mbiçmim po ul ndjeshëm kostot e kredive në euro për huamarrësit me të ardhura në lekë.

Një faktor tjetër që potencialisht po e ndikon pozitivisht cilësinë e portofolit dhe nuk po krijon presione të reja për rritjen e kredive me probleme është korrektimi i dukshëm në rënie i yield-eve të bonove të thesarit në pjesën e parë të këtij viti. Duke qenë se kreditë në lekë kuotohen në pjesën më të madhe bazuar mbi ecurinë e yield-eve, rënia e tyre ka krijuar frymëmarrje për kredimarrësit gjatë këtij viti, pas rritjes së shpejtë të gjysmës së dytë të vitit të kaluar.


Sinjalet pozitive që ka shfaqur tregu i punës në tremujorët e fundit janë gjithashtu një faktor me ndikim pozitiv në aftësinë paguese të familjeve dhe në cilësinë e portofolit të kredisë bankare. Shkalla e papunësisë ndodhet pranë niveleve më të ulëta historike, ndërsa paga mesatare bruto në sektorin privat ka shfaqur ritme të larta të rritjes, duke kompensuar pjesërisht pasojat e inflacionit të lartë.


Të gjithë këta faktorë duket se po kontribuojnë që raporti i kredive me probleme, të paktën deri tani, të shfaqet relativisht i qëndrueshëm, pavarësisht trysnive nga inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit.




bottom of page