Për “Beun” e Belshit, Arif Tafani, ka raportuar së fundmi edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke nxjerrë në pah përmasat e dëmeve në arkën e bashkisë gjatë viti 2022. Në auditimin e fundit të publikuar evidentohen abuzimet që bënte Tafani me procedurat e prokurimit, duke favorizuar disa biznese me shuma të mëdha parash.
KLSH ka marrë në fokus vetëm 4 tenderë, për kontratat e të cilëve Tafani ka shpërdoruar 745 milionë lekë. Janë shumë para për një bashki të vogël dhe me shumë familje të varfra si Belshi. Dhe situata është më e rënduar kur evidentojmë se këto para janë shpenzuar për procedura që nuk kanë produktivitet në shërbimet ndaj qytetarëve.
I fali tenderin kompanisë që nuk plotëson kriteret
Po i marrim me radhë dhe të shohim se si janë shpërdoruar këto para, për të cilat mban përgjegjësi Tafani. Prokurimi i parë ka si objekt “Blerje mjete motorike”, për të cilin ishin vënë në dispozicion 66 milionë lekë. Sipas të dhënave bëhej fjalë për autobus elektrik dhe për një motor. Këtë motorin Tafani do ta ketë porositur për nostalgjinë e kooperativës kur vetëm kryeagronomi kishte një të tillë.
KLSH thekson se Tafani ka shpallur fituese një kompani që nuk plotëson kriteret. Siç shohim nga dokumentet. më datë 6 shtator 2022 është shpallur fituese firma “AZ Trading”, me ofertë 65 milionë lekë. Por sipas KLSH argumentet që ka dhënë edhe komisioni vlerësues për shpalljen fituese të kësaj kompanie nuk qëndrojnë dhe tregon se kemi të bëjmë me fitues të paracaktuar.
“Komisioni i vlerësimit të ofertave ka kualifikuar dhe shpallur fitues operatori A. T.”, ka mangësi në dokumentacionin sipas specifikimeve teknike. Veprime jo në përputhje më VKM nr. 285, datë 09.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, neni 40 pika 4”, thuhet në raport.
Miliona lekë në afër për mjete lundruese
Një muaj më vonë Tafani ka zhvilluar tenderin me objekt “Fuqizimi i ofertës turistike me anë të zgjidhjeve ekologjike, blerje mjete lundruese ”, për të cilin ishte lënë në dispozicion fondi limit me vlerë 35 milionë lekë. Për këtë tender garuan 3 firma, ku oferta më e lirë ishte nga kompania LIGUS SHPK, e cila do t’i kursente bashkisë 5 milionë lekë. Epo, ketë 5 milionë lekësh Tafani nuk e donte për bashkinë, por për kompaninë e mikut të tij.
KLSH thekson se firma fituese ARTEO 2018 nuk përmbush kriteret pasi nuk ka paraqitur dokumentin që vërteton se ka kryer më parë punë të ngjashme. Kështu edhe në këtë rast pas u lodhur fare të shqyrtojë rregulloren dhe dokumentet e kompanive që iu beson këto shumë parash, Tafani e shpalli fituese duke shkelur ligjin.
“Nga verifikimi i dokumentacionit te dorëzuar ne SPE nga operatori ekonomik L. SHPK është vërejtur se OE nuk ka përmbushur kriterin për punë të ngjashme prej 20% të vlerës së përllogaritur të kontratës, te cilat janë mallra të ndryshme nga ato që Autoriteti Kontraktues ka kërkuar në DST. Nga auditimi konstatohet se OE L. ka sjellë një vërtetim datë 12.04.2021 për realizim punimesh me Ujësjellësin e Tiranës në vlerën 133,096,140 lekë.
Komisioni vlerësimit të ofertave ka kualifikuar dhe shpallur fitues operatori A. 2.” P.F, i cili nuk ka kontrata të ngjashme, për realizimin e shërbimit, KVO ka bërë propozim tek Titullari i AK për lidhjen e kontratës kontratës me operatorin A. 2. në vlerë 3,291,500 lekë pa tvsh. Veprime jo në përputhje me VKM-së, nr. 285 datë 19,05,2021 neni 40 pika 4. Për të provuar përvojën e mëparshme, autoriteti/enti kontraktor kërkon dëshmi për realizimin me sukses të një ose disa kontratave të mëparshme, të ngjashme, të kryera gjatë tre viteve të fundit”, thekson KLSH.
Zgjodhi ofertën më të shtrenjtë mes 24 ofertave
Tenderi i radhës i hetuar nga KLSH në Bashkinë Belsh ka si objekt “Sistemim dhe Asfaltim i Belsh-Stanaj”. Arnimi i rrugëve me materiale të dobëta është kthyer si ‘hobby’ më vete për kryebashkiakët, sidomos në kohën e fushatave elektorale. Për këtë tender Tafani ka vënë si fond limit 610 milionë lekë. Çudia këtu fillon që nga fakti që midis 24 ofertave është shpallur fituese oferta e bashkimit të operatorëve 2 N shpk – INA SHPK me vlerë 390 mln lekë, pra 210 milionë lekë më lirë!
Por KLSH tregon se kishte edhe oferta më të lira që gjithashtu plotësonin të gjitha kushtet. Duke na treguar këtu se fituesi është shpallur sipas pazareve që ka Tafani me Namik Shahinin dhe Ferdinand Caushin, dy biznesmenë të njohur për mashtrimet dhe manipulimet në procedurat tenderuese.
“Nga auditimi rezultoi se dokumentacioni dhe vlerësimi është bërë sipas specifikimeve teknike por rezulton se oferta me e ulët është në vlerë 39,378,820,4 me një diferencë prej 614,515 lekë, nga operatori fitues më të ultë për këto duhej kërkuar informacion I detajuar dhe justifikues për OE fitues për justifikim dhe përmbushje me sukses të shërbimit ndaj institucionit në përputhje me kundërshtim me VKM nr. 285 datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik””, evidenton KLSH.
Ndër të tjera ky raport na bën të qartë këtu që Tafani ka dashur që kompania e paracaktuar përfitojë sa më shumë nga fondi limit prej 610 milionë lekësh që kishte akorduar fillimisht për këtë projekt.
Kritere diskriminuese dhe cenim konkurrence
Procedura e katërt e shqyrtuar nga KLSH është nga ato lloj tenderash që praktikisht nuk kanë asnjë ndikimi në mirëqenien e qytetarëve. Bëhet fjalë për tenderin me objekt ”Pemë Dekorative për vitin 2022” dhe për të blerë drita dhe zbukurime. Tafani ka marrë nga taksat qytetarëve 35 milionë lekë, pa dhënë asnjë llogari se ku shkuan zbukurimet e një viti më parë.
Fillimisht KLSH evidenton se kjo vlerë e lartë e fondit limit nuk është argumentuar me baza ligjore, çka tregojnë qartë që synimi kryesor ka qenë përvetësimi dhe xhirimi i fondit në xhepin e bashkëpunëtorëve të kryetarit..
“Fondi limit është hartuar mbi bazë të testimit të tregut të cilat janë evidentuar në procesverbalin pa nr. prot., datë 03,02,2022, por të pa argumentuara ligjërisht.
Nuk është hartimi I (Project-plani )si dhe plan vendosja e pemëve dekorative
Nuk janë hartuar kosto të ndara sipas zërave (preventive) për hapjen e gropave për mbjelljen e pemëve, situacion punimesh të detajuar, situacioni me vendosje zëra punimesh si hapje gropash dhe mbjellje e cila është me ditë pune.
Pra harta ku janë mbjellë duhet te jetë pjesë e DST ku mbi këtë bazë do të përcaktohej dhe nr i punëtoreve për kryerjen e këtij shërbimi , pasi kontrata është përbërë furnizimi/mbjellje, për këto veprime mbanë përgjegjësi grupi i hartimit të fondit limit dhe përcaktimit të kritereve”, raporton Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Gjithashtu, KLSH evidenton se në këtë tender janë vendosur kritere që nuk përputhen me objektin e kontratës dhe me ligjin për konkurrencën e drejtë.
“Nuk nxit konkurrencën, mungesë pjesëmarrje, diskriminim dhe trajtim i pabarabartë i ofertuesve në procedurat e prokurimit. Shkaku: Vendosja e kritereve jo në përputhje me kuadrin ligjor të PP”, përfundon KLSH.
Edhe një herë në përfundim KLSH raporton se nga këto 4 kontrata janë vënë për pazare 745 milionë lekë, për të cilat duhet të mbajë përgjegjësi kryetari i Bashkisë dhe anëtarët që kanë vlerësuar ofertat për çdo kontratë!
Kështu, “Beu” i Belshit qenka bërë gati për në SPAK, sepse dosja e qepur nga KLSH qenka plot me fakte, ku dëmi ekonomik ka ardhur nga veprimet haptazi në shkelje të ligjit nga kryetari i bashkisë.