top of page

Rekordi, shqiptarët bënë 4.1 miliardë euro pagesa përmes bankave vitin e kaluar


Në vitin e dytë të vënies në funksion, numri i transaksioneve të kryera përmes sistemit AIPS për pagesat në euro brenda vendit ka kaluar shifrën prej 249 mijë, ndërkohë që më rritje të dukshme janë edhe vlerat monetare të transmetuara përmes këtij sistemi.

Banka e Shqipërisë raporton se për 12 muajt e vitit 2023, janë kryer përmes këtij sistemi 249,018 pagesa. Totali i transaksioneve vjen në rritje të dukshme krahasuar me vitin e shkuar, me shtesë prej 59.5%, kur numri total i transaksioneve u ndal në 156,044.

Në rritje vjen në 2023 edhe volumi i parave të transmetuara përmes sistemit AIPS. Për periudhën janar-nëntor 2023, vlera e totale e transaksioneve ka arritur në 4.1 miliardë euro, ndërkohë që viti 2022 është mbyllur në total me 3.3 miliardë euro. Rritja në volumin e transaksioneve vit më vit është 24%.

Ndërkohë që volumi i transaksioneve përmes këtij sistemi, raportohet i lartë edhe për muajin janar 2024. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, përmes AIPS janë kryer në muajin e parë të këtij viti 21,609 transaksione, për një total prej 349 milionë eurosh.


Sistemi AIPS u vu në funksion në 24 janar të vitit 202, dhe mundësoi për herë të parë kryerjen e pagesave në euro brenda sistemit bankar shqiptar pa tarifa shtesë nga bankat mëmë. Më herët, transfertat kombëtare në Euro bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit.

Transfertat drejtoheshin te bankat mëmë, të cilat kryenin edhe veprimet me kosto shumë të larta, të cilat shkonin deri në 200-300 euro për çdo transaksion, ndërkohë që vonesa në kohë ishte një problem më vete.

Vetëm gjatë vitit të shkuar u kursyen rreth 10 milionë euro kosto në formën e transfertave mes bankave korrespondente, ndërkohë që shifra prej 22 milionë eurosh e raportuar nga Banka e Shqipërisë pritet të shtohet edhe më tej, duke parë se dhjetori është muaj mjaft i ngarkuar me transaksione.

Në fund të vitit të shkuar, Banka e Shqipërisë bëri me dije se vetëm gjatë 2023, sistemi AIPS u ka kursyer shqiptarëve afërsisht 22 milionë euro.

bottom of page