Kontrolli i Lartë i Shtetit gjykon se procesi i rindërtimit i nisur pas tërmetit të nëntorit 2019 dhe ende aktiv sot shfaq problematika në menaxhim dhe planifikim. Në raportin e Buxhetit Faktik 2023 ky institucion evidenton zhvillimet përgjatë viteve duke nënvizuar mënyrën sesi janë shpenzuar paratë publike për investimet e këtij zëri.
“Fondi i rindërtimit, krahas luhatjeve të ndjeshme në planifikim nga 5,000 milion lekë në ligjin e buxhetit, në 17,000 milion lekë në AN nr. 5 dhe realizimi për 9-mujorin ka qenë 5,012 milion lekë, për periudhën e mbetur 3 mujore fondi është 3.4-fishuar, nuk është arritur që të realizohen as sa viti 2022 që ishte 28,877 milion lekë, por 16,201 milion lekë, çka do të thotë rënie e ndjeshme e financimeve në planifikim dhe realizim në këtë drejtim,”- thuhet në buxhet.Sipas raportit për 9 mujorin janar-shtator janë realizuar 31 % investimit vjetor, 7 % më ulët se shpenzimet kapitale, ndërsa në dhjetor janë shpenzuar 64 % e shpenzimeve vjetore gjithsej, duke mos ruajtur shpërndarjen e tyre në mënyrë të balancuar dhe në përputhje me objektivat strategjikë.
“Referuar VKM-vë të dala për rindërtimin, gjatë periudhës 2020-2023, konstatohet se janë miratuar 120,726 milion lekë projekte rindërtimi për qeverisjen qendrore dhe vendore dhe janë realizuar sipas raportimeve të MF deri më 31.12.2023 financime në vlerën gjithsej prej 91,298 milion lekë, gjë që do të thotë që, financimi i pritshëm për periudhat e ardhshme (viti 2024 e në vijim) mbetet rreth 29,428 milion lekë.Ndërkohë në ligjin nr. 97/2023 “Për buxhetin e vitit 2024”, fondet për rindërtimin janë planifikuar në vlerën 7,000 milion lekë dhe për vitin 2025 është 0 lekë. Pra, rezulton se, kosto totale e projekteve të deritanishme të miratuar me VKM, nuk është mbuluar me planifikimin e fondeve buxhetore të nevojshme për rindërtimin në vitet ardhshme është rreth 22,428 milion lekë”, thuhet në raport.
Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon se mos përfundimi i procesit të rindërtimit, sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit edhe si rezultat i subvencionimit të qirave për familjet që banesat e tyre janë ende në proces rindërtimi, që sipas kërkesave të muajit shkurt 2023 të bashkive të dëmtuara nga tërmeti janë 8,528 familje që e përfitojnë këtë bonus.
“Duhet theksuar se fondi i rindërtimit ka një rëndësi të dyfishtë pasi, përveç se vijon të mbetet një çështje emergjente që kërkon menaxhim efektiv në kohë, ka një peshë të konsiderueshme në buxhetin e shtetit.
Ndryshimet e shpeshta dhe të konsiderueshme të fondit të rindërtimit në vite dhe mungesa e mbulimit me fonde buxhetore e projekteve të miratuara evidentojnë problematika në planifikimin dhe menaxhimin e procesit të rindërtimit, duke mos pasur objektiva të qarta dhe monitorim të ecurisë së këtij procesi, me pasoja në humbjen e trajtimit emergjent në këtë rast,”- thuhet në raportin e KLSH.