top of page

Rrëfimi i fortë të dashurës: Si e njoha Vis Martinajn, dreka dhe nata e fundit në hotel

Sot është zbardhur vendimi i Gjykatës së Lartë që refuzoi rekursin e ish-policit Jeton Lami që kërkoi lirinë nga burgu pas arrestimit me akuzën se arratisi me makinë Ervis Martinajn. Në vendimin e gjykatës së Lartë është publikuar edhe dëshmia e Sadete Kokomanit, ish-miss Shqipëria, e cila ka rrëfyer njohjen, lidhjen dhe natën e fundit në hotel me Ervis Martinajn në datën 5 gusht. 22 vjeçarja tregoi se nga Tirana u nisën në Durrës drejt një hoteli ku më pas Jeton Lami ka bërë rezervimin për Martinajn dhe të renë dhe më pas është larguar.

DESHMIA E PLOTE

Pas referimit të akteve, në datë 11.08.2022, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka regjistruar procedimin penal nr. 203, viti 2022 për veprat penale “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 109/1 dhe 25 të Kodit Penal. Në datë 15.08.2022, në vijim të veprimeve hetimore është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasja Sadete Kokomani, e datëlindjes 01.10.2000, banuese në Durrës, e cila rezultonte të ishte një nga kontaktet e shtetasit Ervis Martinaj.

Ndër të tjera ajo ka shpjeguar se, me shtetasin Ervis Martinaj është njohur në muajin Janar të vitit 2022, pasi ai i ka shkruar në rrjetin social “Instagram”. Ervisi ka pasur adresën në instagram me emrin “King Simba” dhe foto profili ka pasur një luan. Pas disa komunikimeve, për herë të parë është takuar me Ervisin në Durrës, në datë 07.01.2022, përpara hotel “Palace” në plazh. Ervisi kishte shkuar vetëm, me një automjet “BMW”, seria 7, targat e të cilit nuk i mban mend.

Atë ditë është nisur bashkë me Ervisin me mjetin që përmendi më lartë për në Tiranë, por duke qenë se kishte trafik rrugës janë kthyer dhe kanë shkuar tek “Arbëria Palace” në Fushë-Milot, ku kanë pirë kafe dhe më pas kanë shkuar për të ngrënë drekë në Patok, tek lokali i hallës së Ervisit, i cili ishte me shtëpiza të vogla dërrase. Pas këtij takimi kanë vijuar takimet normalisht me Ervisin.

Në datë 05.08.2022, rreth orës 17, deklaruesja është nisur me taksi nga Durrësi për në Tiranë, pasi kishte komunikuar me Ervisin në aplikacionin “Telegram”, për të parë një shtëpi që do e merrte me qira. Pasi ka parë shtëpinë, ka marrë një taksi dhe ka shkuar tek “Hygeia” në Tiranë, pasi Ervisi i kishte shkruar që po e priste atje.

Ervisi ka qenë në një automjet “Audi” A-8, me targa të huaja, i ulur në vendin e parë të pasagjerit, ndërsa në vendin e drejtuesit ka qenë një person tjetër, që Ervisi e mbante afër vetes si shofer, rreth 30 vjeç, me flokë pak të rëna përpara dhe mbante pak mjekër.

Ajo ka hipur në ulësen e pasme të mjetit dhe janë nisur nga Tirana për në Durrës. Fillimisht bënë një xhiro me mjet deri në Golem dhe më pas kanë shkuar tek hotel “Adriatiku”. E pyetur lidhur me rezervimin e dhomës së hotelit shtetasja Sadete Kokomani ka shpjeguar se, dhomën e ka rezervuar personi që i shoqëronte (shoferi), ndërsa ajo me Ervisin kanë shkuar tek bari i hotelit dhe më pas janë ngjitur tek dhoma e hotelit, ku kanë qëndruar deri ditën e nesërme në datë 06.08.2022 rreth drekës, kohë kur janë larguar nga hoteli.Nga ana e policisë gjyqësore janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë së hotel “Adriatik”, që ndodhet në Durrës, ku pas këqyrjes së pamjeve filmike ka rezultuar se: në sekuencën filmike 21:14:18 të datës 05.08.2022 tek trau res hotelit “Adriatik” vjen një automjet veturë e markës “Audi” tipi AB, ngjyrë e zezë. Pasi kalon pak sekonda ngrihet trau dhe automjeti vijon lëvizjen në ambientet e parkimit të hotel Adriatik.

Pasi ndalon nga mjeti duket që zbresin tre persona, dy meshkuj dhe një femër, të cilët më pas lëvizin në këmbë në drejtim të hotel “Adriatik”. Njëri nga meshkujt i cili duket trup mesatar, mban të veshur pantallona tre çerekesh ngjyrë të zeza, bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë të bardhë, kapele sportive të zezë dhe atlete, cili më pas është identifikuar si shtetasi Ervis Martinaj, datëlindjes 06.10.1982.

Personi tjetër i seksit mashkull, me trup të gjatë, mban veshur pantallona tre çerekësh të zeza me viza të bardha anash, bluzë me mëngë të shkurtra jeshile, atlete të zeza dhe në dorë mban nje çantë, i identifikuar si shtetasi Jeton Lami, i datëlindjes 30.01.1994.

Personi femër me floke te gjata të zeza, mban veshur një pale pantallona xhins të shkurtra, një kanotiere te zezë dhe në dorë ka një qese, e identifikuar si shtetasja Sadete Kokomani, e datëlindjes 01.10.2000.

Te tre personat lëvizin bashkë drejt hotelit dhe futen brenda. Në sekuencën filmike 21:42:38, personi me trup i gjatë, që mban veshur pantallona treçerek të zeza me viza të bardha anash, me bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë jeshile dhe atlete të zeza, i identifikuar si Jeton Lami, afrohet tek recepsioni i hotelit, ku pasi komunikon me recepsionisten duket që jep diçka dhe pasi shkruan një formular largohet.

Nga këqyrja e regjistrit te hotel “Adriatik” është konstatuar se personi i cili ka rezervuar dhomën e hotelit është shtetasi Jeton Lami, i datëlindjes 30.01.1994, me letërnjoftimin me nr. 340130075C, dokument i cili është fotokopjuar nga personeli i recepsionit të hotelit dhe i është bashkëlidhur formularit të rezervimit të dhomës.


bottom of page