top of page

Rrahim Spahiu i fal 166 MLN lekë “investitorit strategjik” për pastrimin e kanaleve vaditëse


Kryetari i bashkisë Dibër, Rrahim Spahiu ka vendosur të nisë angazhimin për zhbllokimin e kanaleve vaditëse të Dibrës. Për ta bërë këtë punë ka zgjedhur një “investitor strategjik”, që i ka kushtuar shtrenjtë arkës së bashkisë.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Rehabilitim dhe ndërtim i kanaleve vaditëse 2024”. Sipas të dhënave të dokumenteve, do të pastrohen dhe riparohen 15 kanale, për të cilat kryetari ka ndarë 166 milionë lekë. Dhe i ka vënë afatin 35 ditë!



Faktet na çojnë në konkluzionin se tenderi është fiktiv dhe fituesi është i paracaktuar. Afati i fundit për paraqitjen e ofertave për këtë projekt ka qenë data 3 prill 2024 dhe deri në atë moment dorëzuan ofertat e tyre 6 firma. Nga formulari i shpalljes së fituesit dallohet që në krye se dy nga pjesëmarrësit janë paraqitur fiktivisht, pasi kanë bërë ofertë 0 (zero) lekë.

Kështu, kompania FARRUKU DIBER ka paraqitur ofertën ekonomike me vlerë 0 (zero) lekë pa tvsh; Po ashtu, edhe firma “XHANI” SHPK.

Në fazën e parë u skualifikuan nga gara 5 kompani dhe mbeti për shqyrtim vetëm operatori “Ndregjoni” SHPK, e cila kishte ofertën me vlerë 160 milionë lekë.

Fillimisht Operatori ekonomik i kualifikuar i pari në renditje ishte kompania SMO UNION. Ajo është njoftuar nga ana e AK.

Bashkia Dibër për procedurën objekt prokurimi për dorëzimin e dokumenteve përkatëse. Komisioni i vlerësimit të ofertave i ngritur me urdhrin nr. 97 date 18.03.2024, kontrolloi dhe shqyrtoi dokumentacionin dhe vendosi te skualifikojë operatorin ekonomik S.M.O. UNUIN sh.p.k. Kjo kompani ofronte ta bënte punën me 14.242.306.5 lekë. Propozimi është më i mirë, por kryetari ka pasur në mendje Ndregjonin.

Tenderi nuk është i rregullt dhe për këtë Open Data Albania i ka vendosur “Flamurin e kuq”. Kjo është shenja e riskut të korrupsionit.


Kjo do të thotë se fondi 166 milionë lekë i planifikuar për rehabilitimin e kanaleve po filtrohet mes abuzimeve që bën kryebashkiaku Rrahim Spahia për të favorizuar mikun e tij Xhetan Ndregjoni. Biznesmeni është tashmë një emër mjaft i lakuar në aferat e tenderave, por ka marrë dhurata edhe nga vetë kryeministri Rama.

Kujtojmë se Ndregjoni ka marrë statusin “Investitor strategjik” dhe “kontratë 1 euro” për pjesën e luanit nga Porti i Vlorës.

Më datë 13.10.2021, me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 599, u miratua lidhja e kontratës së qirasë, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkimit të Shoqërive “Marina di Valona” sh.p.k., “Brunes” sh.p.k., “Ndregjoni” sh.p.k. dhe “Marina Projects” LTD.


Kontrata 1 euro shërben për ndërtimin e hoteleve me vlerë 105 milionë Euro (pa TVSH). Kjo kontratë është e vlefshme për një periudhë 20 vjeçare.

Tashmë, pas disa transaksioneve, Ndregjoni nuk figuron më në pronësinë e kompanisë që do ndërtonte portin, por po shpërblehet lart e poshtë me tendera të tillë që skuqin nga shkeljet.



bottom of page