top of page

Rritet fondi i sigurimit të depozitave të SHKK-ve, arrin në 2.2 milionë euro

  • Writer: Editor 1
    Editor 1
  • Apr 16, 2024
  • 2 min read

Fondi i sigurimit të depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit (SHKK) u rrit me pothuajse 16% vitin e kaluar.

Sipas informacionit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) ky fond arriti vlerën e 223 milionë lekëve ose pothuajse 2.2 milionë eurove.

Të ardhurat kryesore që kontribuojnë në rritjen e fondit të sigurimit të depozitave në SHKK janë të ardhurat nga primi i sigurimit dhe të ardhurat nga investimi i mjeteve financiare.

Të ardhurat nga primet e sigurimit për vitin 2023 arritën në rreth 26.4 milionë lekë, nga të cilat të ardhurat nga primet e sigurimit ishin 22.2 milionë lekë, ndërsa të ardhurat nga investimi ishin 8.9 milionë lekë.

Tashmë, raporti i mbulimit të depozitave të siguruara në SHKK prej fondit të administruar nga ASD ka arritur në 2.86%, nga 2.61% që kishte qenë një vit më parë. Raporti i mbulimit është ndjeshëm më i ulët krahasuar me atë të depozitave në banka, që në fund të vitit 2023 arriti në 7.23%. Megjithatë, skema e sigurimit të depozitave në SHKK është më e re në kohë.

Ngritja e këtij fondi nisi në vitin 2015, me ndryshimet e ligjit “Për sigurimin e depozitave”, që përfshinë edhe SHKK-të në skemën e sigurimit të depozitave, deri në 2 milionë lekë për çdo depozitues.

Në janar të vitit 2015, u arkëtua nga Buxheti i Shtetit fondi themeltar për sigurimin e depozitave në SHKK në vlerë 76 milionë lekë, që siguroi bazën fillestare financiare të ngritjes së fondit të sigurimit të depozitave në SHKK.

Duke nisur nga viti 2015 e në vazhdim, ASD ka administruar mjetet financiare të fondit të sigurimit të depozitave në SHKK. Megjithatë, SHKK-të e para hynë në skemë vetëm në fillim të vitit 2017, për shkak të kohës së nevojshme për përmbushjen e kritereve ligjore për përfshirjen në të.

Sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të ASD-së. Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së.

Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht në Shqipëri veprojnë 11 SHKK aktive, ndërsa Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) raporton nëntë subjekte të anëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave.

Përfshirja në skemën e sigurimit të depozitave vlerësohet se ka patur një rol të rëndësishëm në rritjen e sektorit të SHKK-ve në vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të tregut në fund të vitit 2023 arriti vlerën e 15.6 miliardë lekëve ose pothuajse 150 milionë eurove, në rritje me 6.3% krahasuar me një vit më parë.

Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve mbështetet, në pjesën më të madhe, te depozitat e anëtarëve. Në fund të vitit 2023, depozitat përbënin më shumë se 70% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë ato prekën shifrën e 11 miliardë lekëve, në rritje 5.7% me bazë vjetore.

Shoqëritë e kursim-kreditit janë institucione të lejuara me ligj të pranojnë depozita nga anëtarët dhe të ofrojnë kredi për ta. Modeli i SHKK-ve ka rezultuar efikas për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që, për arsye të ndryshme, kanë akses të kufizuar në sektorin bankar. Ato janë një segment i mikrofinancës veçanërisht i suksesshëm në zonat rurale të vendit, me fokus kryesor financimin e ekonomive bujqësore

Comentários


bottom of page