
Rritja e depozitave në euro nuk u ndal as në muajin prill. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, depozitat bankare në monedhën europiane arritën afër vlerës së 6.5 miliardë eurove, në rritje vjetore me 16.7%. Vetëm gjatë muajit prill, këto depozita u rritën me 73 milionë euro, ndërsa që nga fillimi i vitit rritja e tyre ka arritur në 180 milionë euro.
Shifrat tregojnë se rritja e depozitave në euro paraqitet e shpërndarë me ritme të ngjashme, si mes bizneseve, ashtu edhe mes individëve. Kjo tregon se zgjerimi depozitave në monedhën europiane ka bazë të gjerë dhe reflekton prurje të shtuara të euros në ekonominë shqiptare, por edhe një prererencë në rritje për t’i mbajtur kursimet në këtë monedhë. Rritja paraqitet veçanërisht e lartë në segmentin e depozitave me afat, me pothuajse 26% më shumë krahasuar me një vit më parë. Për vite me radhë, normat minimale të interesit bënë që publiku të mos kishte më nxitje t’i mbyllte paratë në depozita me afat.
Por, rritja e shpejtë e normave të interesit nga banka qendrore prej vitit të kaluar ka sjellë rritje edhe të normave të interesit për depozitat. Kjo ka sjellë një rritje të shpejtë edhe të vlerës depozitave me afat në euro. Llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat vazhdojnë të dominojnë strukturën e depozitave bankare në euro, me 59% të totalit. Megjithatë, ritmi i rritjes së tyre paraqitet më i ngadaltë, 11.7% me bazë vjetore. Nga ana tjetër, depozitat në lekë po rriten me ritme shumë të ngadalta. Në fund të prillit, rritja vjetore e stokut të depozitave në monedhën vendase ishte vetëm 3.5%, ndërsa vlera e tyre paraqitet madje në rënie të lehtë që nga fillimi i vitit.