top of page

Rritja e pagës minimale tre herë brenda vitit alarmon fasonin

Vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale është i treti brenda vitit, duke sjellë që paga e detyrueshme për punonjës të rritet me 33% brenda 12 muajve.

Në pranverë të vitit të kaluar, paga minimale ishte 30 mijë lekë. Me vendim të posaçëm, qeveria e rriti në prill në 32 mijë lekë.

Me një vendim të dytë në shtator të vitit 2022, paga minimale u bë 34 mijë lekë. Me VKM-në e fundit, që hyn fuqi më 1 prill, arrin në 40 mijë lekë.

Rritja e fundit ishte edhe më agresive me 6 mijë lekë, pasi pragu ndryshohej me nga 2 mijë lekë.

Në harkun kohor të një viti, paga minimale u rrit me 33%, ndërsa në katër vitet e mëparshme, 2017-2021, u rrit me vetëm 25%.

Bizneset e sektorit fason janë të alarmuar, pasi rritja e pagave ka hyrë në fuqi pasi janë negociuar çmimet me furnitorët.

“Brenda një viti kemi negociuar me rritje për çdo sezon çmimet, nuk mund ta bëjmë më”, – tha Eva Laro, e cila drejton fabrikën e këpucëve “ProDyn”.

“Rritja e menjëhershme me 18% është shumë e shpejtë dhe nuk lë kohë që të përmirësohet biznesi dhe produktiviteti”, – tha znj. Laro./Monitor


bottom of page