
ELBASAN- Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për rritjen e pagave të punonjësve të administratës, ku përfshihen edhe funksionarët e lartë shtetërorë, nga presidenti, te kryeministri, ministrat dhe deputetët opinioni publik shprehet i zhgënjyer.
Vecanërisht të moshuarit të cilët konsiderohen votuesit që mbajnë peshën kryesore për shkak të emigracionit që ka përfshirë grupmoshat e tjera shprehen të prerë në bese.
Të moshuarit në Elbasan për Fax News thonë se nuk e kanë pritur një vendim të tillë të qeverisë ndaj e konsiderojnë krim ndaj moshës së tretë. Ata thonë se i besuan premtimeve të Kryeministrit ndaj dhe e votëbesuan më 14 maj. Të revoltuar thonë se mezi sigurojnë mbijetesën aq sa shpesh i mohojnë vetes edhe një kafe.
“Jam i zhgënjyer, shumë keq, zyrtarët janë për veten jo për populin. Qeveria u kthen bërrylin pensionistëve. Skandal nuk ka më ku të vete. Ata kanë rrogë 3-fish, unë marr 85 mijë lekë pension, as ilaçet nuk marr dot. Është tallje, në vend të na shtynin neve, ata rrisin rrogat e tyre. Nuk pi dot një kafe, shumë skandal”, tha një pensionist.
Por ka dhe nga ata që rritja e rrogave të pushtetarëve nuk i ka surprizuar.
“Ata drejtojnë gjithë vendin, iu takon”, tha një prej tyre.