top of page

S’ka fund rruga “Stefanel”, Goro i Himarës u fal 416 MLN lekë vëllezërve Ibrahimi


Jo vetëm që nuk jep dorëheqje si kryebashkiak në detyrë, por Jorgo Goro po vazhdon të japë fondet e bashkisë në shkelje të rregullave të prokurimit. Vetëm rikonstruktimi një rruge po i shkon me shumë se 1.6 miliardë lekë. Bëhet fjala për Rrugën Stefanel, plani për të cilën ka nisur që në vitin 2019, kur Goro mbante me siguri politike postin e kryebashkiakut dhe nuk e vriste mendjen për asgjë.

Konkretisht, më datë 29 korrik 2019, Bashkia e Himarës u mburr para qytetarëve se e ka gati projektin e plotë të rikonstruksionit të rrugëve të lagjes “Stefanel”, e ndodhur pranë fshatit Spile.

Asaj kohe Goro, u shpreh sot se “për këtë lagje janë parashikuar përveç rikonstruksionit të rrugëve, trotuareve, ndriçimit gjithashtu edhe infrastruktura nëntokësore e furnizimit me ujë të pijshëm, kanalet e ujërave të zeza, si dhe vendet rezervë për linja të ndryshme dixhitale që do të vijnë në të ardhmen”.

Por, kryebashkiaku nuk paralajmëroi që punimet do të zgjasin mbi 4 vjet.

Kaq kohë, as ndërtimet e autostradave nuk marrin, e jo më një rrugë fshati, që kishe nevojë për riparim. Asaj kohe Goro nuk foli as për fondin e përcaktuar, ndërsa ne sot do të tregojmë se si në çdo vit për këtë rrugë po shpenzohen miliona lekë.

Po ja nisim nga tenderi më i fundit, i cili është publikuar ditën e sotme. Prokurimi ka si objekt “Rikonstruksion i rrugës Stefanel 7 8 ( 6/3-13)” dhe i janë vënë në dispozicion 416 milionë lekë. Me këto para do të bëhen gërmime, pastrime shkurresh, shtrim asfalti dhe vijëzim, investimet më minimale për një rrugë që mund të bëheshin edhe me më pak para.


Por, ajo që duam të tregojmë është se si lëvrimi i këtyre parave firmoset me nxitim pa pasur frikë për shkeljet e ligjit mbi prokurimet.

Shohim se për këtë tender  kanë dorëzuar ofertat e tyre 8 firma dhe pikërisht fituesi “ED KONSTRUKSION” SHPK ka paraqitur ofertën më të shtrenjtë me vlerë 350 milionë lekë.

Po si e mori fitoren? Siç ndodh rëndom në këtë bashki, Goro në fazën e parë përjashtoi 7 ofertat e tjera dhe në fazën konkurruese la në garë vetëm kompaninë ED KONSTRUKSION” SHPK. Rrjedhimisht, duke mos patur konkurrentë përballë, kjo kompani u shpall fituese dhe sot ka nënshkruar kontratën me Goron. Sipas vlerësimit të Open Data tenderi ka marrë ‘Flamurin e Kuq”, si shenjë e riskut të korrupsionit. Kompania është pronë e vëllezërve Eduard dhe Alfred Ibrahimi.

Siç e parashtruam në fillim  të artikullit, 416 milionë lekë janë planifikuar vetëm për segmentin 7-8 të rrugës, sepse për segmentet e tjera janë bërë shpenzime  marramendëse në këto 4 vite.

4 vite që derdhen para

Kujtojmë që, në prill të vitit 2021 për rikonstruksionin e rrugës Stefanel segmenti 1-2, institucioni nën drejtimin e Jorgo Goros ka parashikuar fondin limit prej 48.3 milionë lekësh.

Në garë u paraqitën 3 operatorë ekonomikë, 2 prej të cilëve u përjashtuan, njëri pasi nuk kishte paraqitur asnjë dokument përveç ofertës ekonomike, ndërsa tjetri sepse kishte mangësi në numrin e punonjësve dhe licencave që i kërkoheshin nga Bashkia e Himarës.

I vetmi operator në garë, njëherësh edhe fitues i kontratës kishte mbetur Salillari me ofertën 48 milionë e 92 mijë lekë të reja (pa TVSH).

Kjo kompani është rikthyer në vëmendje kohët e fundit për shkak të shembjeve masive të ndodhura në akset që ajo kishte ndërtuar dhe mirëmbajtur nga veriu në jug të vendit.

Madje edhe për segmentin 2-4 sërish fitues është shpallur Salillari. Tenderi u mbyll më datë 9 nëntor 2021 me vlerë 375 milionë lekë dhe u la në duart e Salillarit për një vit.


Nuk ishte aspak çudi, kur në 27 dhjetor të viti 2022 për segmentin 4-6 u shpall sërish fitues Salillari. Në atë kohë Salillari garoi me veten e tij, sepse nuk kishte asnjë konkurrent përballë. Ashtu, në shkelje të ligjit dhe me një ofertë të lartë Goro i dhuroi Salillarit 375 milionë lekë të tjera.

Ky tender mori “Flamurin e kuq” për shkeljet, por gropat dhe çarjet e punimeve të Salillarit u bënë denoncimi më i madh për shpërdorimin e parave.


Duke qenë se kundërshtari i tij, Fredi Beleleri është në burg për “blerje votash”, Goro duket si i ‘paprekshëm’, një nga ato monumentet e korrupsionit që i krijon Rama.

Së bashku me kontratën e firmosur sot, në total vlera e rrugës “Stefanel” deri më tani ka shkuar 1.6 miliardë lekë, ku pjesën e luanit e ka zhvatur Salillari.


bottom of page