TIRANË- Studentët e Mjekësisë kanë marshuar nga godina e Universitetit të Mjekësisë deri tek Ministria e Arsimit që ndodhet në rrugën e ‘Durrësit’.
Me pankarta në duar ‘Shihemi në gjyq’ studentët kundërshtojnë ligjin që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.
"I kërkojmë ministres të ketë guximin të përballet me studentët. Ne studentët e mjekësisë nuk jemi qengja që të keni të drejtën të na flijoni. S’ua ka dhënë të drejtën as parlamenti e as zoti", thonë ata.
Pse po protestojnë studentët e mjekësisë?
Për dy javë rresht, dhjetëra studentë të mjekësisë kanë bojkotuar mësimin, duke protestuar para Universitetit të tyre si dhe para Kuvendit, ndërsa sot janë zhvendosur para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar anulimin e një projekt-ligji, që parashikon punësimin e tyre të detyruar deri në 5 vjet pas përfundimit të studimeve. Projekt-ligji u kërkon studentëve të mjekësisë që të nënshkruajnë një marrëveshje, sipas të cilës, ata do ta tërheqin diplomën e studimeve pas një punësimi 5-vjeçar në sistemin shëndetësor shqiptar. Por studentët deklaruan gjatë protestës, që nëse nisma nuk anullohet, ata do të bojkotojnë vitin akademik. Projekt-ligji parashikon një marrëveshje me studentët e Mjekësisë, që ata të punojnë deri në 5 vite brenda vendit pas përfundimit të studimeve, në sektorin publik dhe atë privat. Edhe diplomën ata mund ta marrin vetëm pas punësimit 5 vite në sistemin shëndetësor shqiptar pas mbarimit të studimeve.