Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, e mbyt ujësjellësin me klor dhe kimikate. Tenderi i fundit i nënshkruar nga ajo është një çudi më vete! Sako ka vendosur të blejë 500 milionë lekë klor për ujësjellësin. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Blerje kimikate”. Kjo kontratë është e skuqur me shkelje nga fillimi në fund. Për këtë Open Data Albania i ka dhënë “Flamurin e Kuq”. Së pari, tenderi është dhënë pa garë.
Në dokumente evidentohet se për këtë projekt kanë paraqitur ofertë dy firma, “2AT” dhe “Albania Distribution Chemicals SHPK. Ky i fundit kishte ofertë me vlerë 450 milionë lekë, por është skualifikuar në fazën e parë, për shkak se nuk ka paraqitur punë të ngjashme me vlerë të afërt sa tenderi i mësipërm. Kështu në garë mbeti vetëm operatori “2AT”.
Ndërkohë, çudia tjetër edhe më e madhe është se Sako po shpenzon kaq shumë para për 7800 kg klor. Theksojmë se çmimi i prokuruar është shumë më tepër se sa mund të gjendet në treg. Sipas llogarive të Sakos me vlerë 500 milionë për 7800 kg klor, i bie që me 640 lekë të blejë 1 kg. klor. Këto tregojnë hapur shpërdorimin dhe përvetësimin në tenderë nga krybashkiakja dhe drejtuesit e Ujësjellësit. Por, pavarësisht këtyre tenderi është regjistruar në APP dhe askush nuk ka marrë masa
Denoncimi
Ndërkohë, pas 4 ditësh prokurimi, ky tender është denoncuar në Komisionin e Prokurimeve Publike. Firma që u skualifikua pa të drejtë nga gara ka zbuluar shkeljet e Sakos. Konkretisht, firma “Albania Distribution Chemicals” SHPK kundërshton dy argumentet e Bashkisë. Ku thuhet se “OE nuk ka paraqitur dy punonjësit drejtues mjeti ADR me dokumentacionin e kërkuar. Dhe në deklaratë sipas shtojcës nr.8, ka vetëm një punonjës shofer. OE nuk është paraqitur në datën dhe orën e përcaktuar për të qenë i pranishëm gjatë dërgimit të mostrave për analizim, sipas njoftimit të bërë në sistem”.
Ndërkohë, kompania ankuese shpjegon se transportimi i kësaj lëndë do të bëhet me një automjet që është i sigurt dhe mjafton një shofer. Gjithashtu pretendohet se mostrat për prova janë dërguar në atë ditë për analiza, por Autoriteti Kontraktor (njerëzit e Sakos) nuk i ka marrë parasysh.
Me sa duket Sako nuk e ka vlerësuar firmën në fjalë për shkak se oferta e saj ishte 50 milionë lekë më lirë se oferta fituese. Kështu, Ujësjellësi që varet nga Sako, vazhdoi planin për të shpenzuar këtë shumë të madhe lekësh, pavarësisht shkeljeve gjatë procedurës së prokurimit.