Viti 2021 ka shënuar rekord në shpenzimet e qytetarëve për shëndetin e tyre, i ndikuar në pjesën më të madhe nga efektet e pandemisë së Covid-19.
Të dhënat e INSTAT për treguesin e “Shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale” bëjnë të ditur se të ardhurat e kësaj kategorie në vitin 2021 arritën në gati 41 miliardë lekë, ose 350 milionë euro, duke shënuar një rekord historik.
Në krahasim me mesataren e 2018-2019, kur vendi ishte në një periudhë normale shëndetësore, të ardhurat pothuajse janë dyfishuar.
Kjo rritje e ndjeshme e të ardhurave ka ardhur pavarësisht se numri i punonjësve të punësuar në këtë sektor ka mbetur pothuajse i pandryshuar në rreth 12 mijë persona dhe investimet gjithsej janë zgjeruar lehte më 6.7%. Numri i ndërmarrjeve ishte 3,438, pothuajse i pandryshuar nga viti i mëparshëm.
Edhe fitimet e bizneseve që veprojnë në aktivitetin e shëndetësisë janë zgjeruar ndjeshëm, duke arritur në 10 miliardë lekë, ose 85 milionë euro në vitin 2021, nga 31 milionë euro në 2019-n.
Norma e fitimit të këtij sektori kërceu gjithashtu në 24%, nga 11% që ishte mesatarja e 2018-2019, duke u renditur se aktiviteti i dytë në vend me kthimin më të lartë, pas pasurive të paluajtshme.
Aktiviteti i shëndetit ka shënuar një rritje të fortë në dekadën e fundit, duke shfrytëzuar nivelin e ulët të shërbimeve të sektorit publik.
Në krahasim me vitin 2011, kur ishin vetëm 31 milionë euro, të ardhurat e këtij aktiviteti janë 11- fishuar.
Sipas INSTAT, në “Shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale” përfshihen spitalet, klinikat, qendrat e kujdesit shëndetësor për të moshuarit, klinikat dentare, kujdesi social etj.
Pse lulëzoi biznesi i shëndetit
Ndryshe nga ekonomia, që u rimëkëmb me shpejtësi në vitin 2021, situata shëndetësore vijoi të ishte e rënduar, sidomos në pjesën e parë të vitit, teksa qeveria hoqi dorë nga masat shtrënguese, pas efekteve që ato dhanë në rënien ekonomike.
Në pjesën e parë të vitit 2021, vala e pandemisë arriti kulmin e saj, e reflektuar kjo dhe me numrin e lartë të vdekjeve. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2021, humbjet e jetës arritën në rekordin e 10.2 mijë personave, me rritje 61% në krahasim me mesataren e së njëjtës periudhë të 2016-2019. Edhe në tremujorin e dytë, vdekjet u rritën me 21% në krahasim me mesataren 2016-2019.
Për gjithë vitin 2021, fatalitetet arritën një nivel rekord në historinë e Shqipërisë, me 30.6 mijë persona, me rritje 40% në raport me mesataren e 2016-2019.
Si rrjedhojë e tejmbushjes së spitaleve publike, por edhe besimit të ulët në sistemin publik të shërbimit shëndetësor, shumë individë u kuruan në spitale private, që shënuan një rritje të fortë të të ardhurave në vitin 2021.
“Spitali Amerikan” (American Hospital) është më i madhi në vend. Në vitin 2021 qarkulloi 7.5 miliardë lekë, me rritje 21% me bazë vjetore. “International Hospital” (ish-Hygeia), po pjesë e grupit të Spitalit Amerikan, raportoi 3.2 miliardë lekë, me rritje vjetore 18%.
Të dhënat zyrtare të bilanceve të pesë spitaleve private, “American Hospital”, “International Hospital” (ish-Hygeia), “Salus”, “German Hospital International”, “Spitali Europian”, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se të ardhurat e kombinuara të tyre ishin rreth 12.3 miliardë lekë (103 milionë euro), duke arritur nivelin më të lartë rekord që kur spitalet e para filluan të hyjnë në tregun shqiptar më shumë se një dekadë më parë.
Në vitin 2020, zgjerimi i aktivitetit të laboratorëve mjekësorë ishte i fortë, pas shpenzimeve të larta për kryerjen e tamponëve, apo të analizave të mëpasshme për të parë ecurinë e sëmundjes. Në vitin 2021, rritja ishte edhe më e lartë, e ndikuar jo vetëm nga kryerja e analizave për identifikimin e sëmundjes e më pas kurimin e saj, por dhe kushtit të pothuajse gjithë shteteve që nuk lejonin hyrjen në kufijtë e tyre të personave që nuk kishin kryer tampon, apo test të shpejtë. Kjo i ndihmoi laboratorët që të ishin biznesi më i suksesshëm dhe me rritjen më të fortë në vitin 2021. Sipas INSTAT, në vitin 2021 u regjistruan 4.2 milionë dalje të shtetasve shqiptarë, një pjesë e madhe e të cilëve në vendet e BE-së.
“Intermedica Center” dyfishoi të ardhurat në gati 2 miliardë lekë.
“Genius lab”, në vitin e plotë të tretë të aktivitetit, katërfishoi të ardhurat, në 2 miliardë lekë, duke hyrë për herë të parë në listën e “Monitor 200”, sipas të ardhurave. Norma e fitimit ishte gati 70%.
Në total, qarkullimi vjetor i laboratorëve kryesorë u pesëfishua në rreth 4.6 miliardë lekë, ose 3 miliardë lekë (gati 25 milionë euro) më shumë sesa vitin e mëparshëm.