TIRANË- Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako është transferuar në paraburgimin e Durrësit, duke dalë kështu nga ambientet e paraburgimit të 313 në Tiranë. Pasi Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Orgenizuar dha masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij, Vangjush Dako raportohet se është vendosur në qeli me ish-deputetin e PS-së, Alqi Ballko.
Vetë Dako, akuzohet se ka shpërdoruar detyrën gjatës kohës kur ishte kryetar bashkie, ndërkohë që nga ana tjetër, Alqi Ballko akuzohet se i përfshirë në aferën e inceneratorit të Elbasanit. Për Bllakon, SPAK ka kërkuar katër vite burg dhe nga gjykimi i shkurtuar nëse kërkesa e prokurorisë pranohet nga GJKKO, dënimi shkon në 2.8 vite burg. SPAK ka kërkuar 10 vite burg për ish ministrin Lefter Koka dhe nga gjykimi i shkurtuar dënimi shkon në 6.8 vite burg nëse dënohet.
Nga ana tjetër, SPAK akuzon Vangjush Dakon dhe 9 persona të tjerë, mes tyre ish-zyrtarë të Bashkisë Durrës se shpërdoruan detyrën dhe falsifikuan dokumente, në lejimin e ndërtimit të një pallati 11-katësh pa asnjë dokumentacion, si dhe në llogaritjen gabim të fondit limit të një tenderi në 2014, të cilit iu rrit vlera me 10 fish, duke i shkaktuar Bashkisë një dëm prej 18 milionë lekë. Në kërkim për këtë dosje janë edhe 3 persona të tjerë. Por gjatë seancës së djeshme, ish-kryebashkiaku i Durrësit i mohoi akuzat, ndërsa avokati i tij tha se këto janë çështje të ndodhura vite më parë dhe se klienti i tij nuk ka përgjegjësi penale për vendime që janë marrë në mënyrë kolegjiale.