Psikologët ngrenë shqetësimin, se shoqëria jonë karakterizohet nga sjellje të dhunshme dhe agresive në të gjitha nivelet, nga më të lartat deri tek më të ulëtat.
Por cilët janë shkaktarët e agresivitetit që e hasim, sapo dalim nga shtëpia?
“Ne vlerësojmë që gjendja ekonomike është një ndër faktorët kryesorë që gjeneron gjithë këtë situatë agresive. Të tjerë shkaktarë janë papunësia, pasiguria për të ardhmen, dëshira dhe mentaliteti i njerëzve për të ikur nga vendi dhe për ta gjetur veten në një shtet në Evropë apo kudo tjetër. Të gjitha këto na krijojnë pasiguri dhe pasiguria padyshim që gjeneron agresivitet dhe konflikt.
Ne jemi në kushte mbijetese si popullatë, dhe të qenit në kushte mbijetese, padyshim që i nxjerr individit pjesën më negative dhe më agresive. Duhen ndërmarrë politika specifike, në mënyrë që të ulim ngarkesën emocionale që ka popullata. Ndryshe do të vazhdojë të gjenerohet agresivitet, do të kemi raste të shtuara të dhunës, do të kemi raste të shtuara të marrëdhënieve konfliktuale punëdhënës-punëmarrës, brenda familjes, brenda institucioneve, dhe kjo sepse individi është vazhdimisht në një luftë për mbijetesë, për të çuar përpara veten dhe familjen.
Vendet ku gjenerohet agresiviteti më i madh është tek politikanët, që më pas shërbejnë si modele për individët e thjeshtë. Kemi dhunë në media, dhe një agresivitet të madh në rrjetet sociale, për të cilin nuk kemi nevojë. Ne kemi nevojë për t’i dhënë mirësi dhe energji pozitivë njëri-tjetrit. Kemi nevojë për të thënë një fjalë me pozitivitet. Nuk ka pse të jemi në kushtet që çdokënd ta shikojmë si armik. Tjetrin duhet ta shikojmë si bashkëpunëtor, pasi në të kundërt jo vetëm që ngarkojmë veten, por i krijojmë edhe një energji negative gjithë mjedisit ku ndodhemi”, është shprehur Valbona Treska, psikologe klinike.