Sytë e zëna me dorë pak ditë më parë të Altin Dumanit në foltoren e parlamentit ishin pak a shumë simbolika jo verbale, që përcolli kreu i SPAK-ut për pyetjet shpesh pa sens nga ligjvënësit shqiptarë. Këta të fundit, kryesisht nga opozita (lexo për protagonizëm), në vend që ta dëgjonin me kujdes vetëm i prisnin fjalën dhe i kërkonin gjëra jashtë tagrit të raportit, që duhej të përcillte para tyre. Ndërsa duhej të dëgjohej metodologjia e përgatitjes së raportit dhe të flitej çfarë mund të përmirësohej, vetëm akuzohej. Të murosur pjesa e PS-së. Pak më tutje, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit u gjend para një ‘paradoksi’ tjetër. Kreu Arben Shehu ka ngritur ‘alarmin’ në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave duke zbuluar se në Shqipëri janë tregtuar akullore të kontaminuara me Oksid Etileni (për publikun: ato shkaktojnë kancer, leucemi dhe ndikojnë në aftësinë riprodhuese tek meshkujt)! Nuk po zgjatemi te shqetësimi i Onkologjikut, pasi raporti i KLSh-së kishte kohë që e kishte evidentuar. E habitshme pse shqetësimi i akulloreve vinte aq vonë dhe si reaguan autoritetet e Ekonomisë: ky shqetësim duhet të ishte ngritur që më herët kur është konstatuar pasi është situatë e rëndë, thanë me një gojë për një problem të pak viteve më parë. Por reagimi i Shehut ishte cinik: Ju lajmëruam dhe madje është bërë edhe kallëzim penal!!! Raporti i Denar Bibës mbi veprimtarinë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2023, të cilit i erdhi rradha pas mesnate në seancën maratonë të Kuvendit e cila zgjati 17 orë, ngjalli gati neveri.“Unë e quaj të tepërt që të vazhdoni të jeni në detyrë. Jo vetëm ju si drejtues, por i gjithë bordi i autoritetit të Konkurrencës, ju jeni kot atje”, ia përplasi deputeti Braçe konfirmimin në fjalën e tij në Kuvend. Me Sigurinë ishte edhe pak më habitshëm, kur një nga deputetët e Opozitës u shpreh si ka mundësi që një i burgosur si Dumani “pjeshkëron”, duke iu referuar lajmeve të ditëve të fundit, që një nga kriminelët më të njohur shqiptarë, vazhdon e jep urdhra nga burgu! Pa i renditur të gjitha raportet, neologjizmi i ri i politikës me “pjeshkën” na solli ndërmend se Institucionet tek ne janë shumë larg detyrave të tyre kushtetuese për të mos thënë se kanë dhe shumë mangësi, ndërsa përpiqen vetëm të lëbyrin sytë e publikut me rezultate boshe.
Nga ana tjetër, parlamentit, ku duhej t’i jepej llogari, nuk ka bërë prej kohësh detyrat e veta dhe për këtë nuk ka asnjë Mea Culpa. Anëtarët e rinj të KLGJ dhe KLP-së gjenden ende të paemëruar, pasi një palë kaloi për të shkuar në votim në seancë, kurse një palë tjetër jo, sepse nuk ka emra mjaftueshëm për short. Në raportin e tij, kryeprokurori Çelaj, pas përplasjes së tij të radhës u ankua për mungesën e prokurorëve në sistem. E habitshme sesi mund të kërkosh llogari kur vetë institucioni i ligjvënësve kishte dhe mbart probleme.