top of page

Shqipëria feston sot 111-vjetorin e Pavarësisë

Ditën e sotme Shqipëria feston 111 vjetorin e pavarësisë.

Kuvendi Kombëtar i Vlorës e shpalli Shqipërin e pavarur më 28 Nëntor 1912.Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.

Kjo ngjarje e shënuar ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur territorin dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.

Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë.

Parada në Tiranë

Për herë të parë në vendin tonë sot do të organizohet Parada e shqiptarëve. Me pjesëmarrjen e mijërave shqiptarëve nga të gjitha trojet, parada do të mbledhë mbi 150 Ansamble popullore.

Parada të fillojë në orën 11:00.

Parakalimi fillon nga sheshi "Nënë Tereza", si pika e grumbullimit, për të vijuar në drejtim të sheshit “Skënderbej”. Pasi të bashkohen të gjithë në sheshin “Skendërbej”, aty do të jetë ngritja ceremoniale e flamurit.

Parashikohet që parada të zgjasë disa orë, nga ora 11 deri në orën 14:00 dhe do të parakalojnë disa grupe, më pas vjen ceremonia e ngritjes së flamurit.

Ndërkohë që presidenti, kryeministri, kryetarja e Kuvendit do të bëjnë ngritjen ceremoniale të flamurit në orën 10:00 në Vlorë.

Prej 15 vitesh ky organizim i shoqatës ‘Rrënjët Shqiptare’ ka veshur Nju Jorkun me petkun e flamurit dhe ka shërbyer për të dhënë mesazhe bashkimi për shqiptarët, ndërsa për herë të parë mbahet edhe në vendin tonë.

Historiku i qeverisë së Vlorës

Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurt, pasi pak më shumë  se një vit Qeveria e Vlorës u detyrua të tërhiqet dhe t’ i lëshoj vend një Qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Kohës.

Edhe më keq Shqipëria u godit në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike copëtuan gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët, ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur më 1913 pranoi pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike.

Gjysma e popullsisë shqiptare mbeten nën sundimin serbo- malazez dhe grek.

Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 u formuan edhe organet shtetërore, Pleqësia dhe Qeveria e dalë nga Kuvendi i Vlorës. U ngritën forcat e armatosura dhe ato të rendit dhe nisi puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, etj.

Qeveria e Vlorës vuri gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte ”Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913.

Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi edhe Pleqësinë që duhej të kryente funksionet një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë, me kryetar Vehbi Agolli.

Qeveria e Vlorës:

Ismail Qemali – kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Dom Nikoll Kacërri – Zv.Kryeministër

Mufid Bej Libohova – Ministër për Punët e Brendshme

Abdi bej Toptani -Ministër për Financat

Mehmet Pashë Deralla -Ministër për Luftën (Mbrojtjen)

Petro Poga -Ministër për Drejtësinë

Luigj Gurakuqi – Ministër për Arsimin

Mit’hat bej Frashëri -Ministër për Punët Botore

Pandeli Cale- Ministër për Bujqësinë

Lef Nosi -Ministër i Post-Telegrafit.


bottom of page