Pavarësisht vendimeve të qeverisë shqiptare për rritjen e pagës minimale, që aktualisht ka arritur në 40 mijë lekë në muaj, vendi ka vijuar të ketë pagën minimale më të ulët në Europë, kur krahasohet sipas fuqisë blerëse, sipas përditësimit të fundit të Eurostat, që i përket datës 20 korrik, ku nuk përfshihen të dhënat për Kosovën.
Në Shqipëri paga minimale është 375 euro në korrik 2023. Në Mal të Zi, paga minimale është 532 euro, më e larta në rajon. Në Serbi paga minimale është 460 euro. Maqedonia e Veriut përditësimin e fundit e ka për 6 mujorin e dytë 2021, kur niveli ishte rreth 360 euro. Bosnjë Hercegovina nuk raporton pagë minimale, ndërsa nuk ka të dhëna për Kosovën.
Më pagën minimale në Shqipëri mund të blesh shumë më pak sesa në rajon.
Në të kundërt Shqipëria ka pagat më të larta për kupolat drejtuese. Paga mujore bruto e presidentit shqiptar të Republikës bëhet 7 herë më e lartë se paga mesatare mujore në vend, duke shënuar një rekord në rajon.
Pagat minimale në vendet anëtare të Bashkimit Europian varionin nga 399 euro në muaj në Bullgari në 2 508 euro në muaj në Luksemburg.