Shqipëria rrezikon të mbetet pa prodhime blegtorale brenda pak vitesh nëse shteti nuk merr masa për të nxitur shtimin e fermave me bagëti. Të dhënat e Institutit të Statistikave dëshmojnë për krizën e thellë që ka kapluar sektorin, i cili është në rënie të vazhdueshme tanimë prej rreth 2 dekadash.
Vetëm në vitin e kaluar numri i bagëtive në vend është ulur me rreth 201 mijë lopë, dele dhe dhi më pak se në vitin 2021. Konkretisht nëse në vitin 2021 në vend sipas të dhënave të INSTAT ishin 2.593 milionë bagëti, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar kanë mbetur vetëm 2.392 milionë krerë.
Vetëm bazuar në këto shifra rënia e krerëve që prodhojnë qumësht është reduktuar me mbi 8%, një situatë kjo aspak e favorshme për konsumatorët shqiptar të cilët do të paguajnë më shumë për produktet që konsumojnë.
Kjo rënie e numrit të bagëtive padyshim është reflektuar edhe në ulje të prodhimit të produkteve blegtorale, si qumësh, nënprodukte të qumështit apo në mish.
Prodhimi i qumështit në vitin 2022, është 970 mijë tonë, nga i cili është qumësht lope 85,03 %, qumësht dhie 7,85 % dhe qumësht dele me 7,12 %.
Sipas të dhënave nëse në vitin 2020 dhe 2021 prodhimi i qumështit kalonte mbi 1 mijë tonë, vjet u regjistrua një rënie e shpejtë me një rënie prej rreth 43 mijë tonë më pak nga viti në vit.
Për vitin e kaluar siaps të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, prodhimi i qumështit nga lopët është 824.942 tonë, nga delet është 69.033 tonë dhe nga dhitë është 76.193 tonë.
Ashtu si edhe qumështi edhe prodhimi i mishit është ngadalësuar në vitin e kaluar, pasi kriza në sektor ka një efekt zinxhir në shumë produkte. Sipas raportit prodhimi i mishit peshë e gjallë vjet ishte 140 mijë tonë, duke rënë me 8 tonë krahasuar me vitin 2021, ose me 10 tonë më pak nëse e krahasojmë me vitin 2020.
Rënia galopante e blegtorisë në 2 dekada
Teksa analizon të dhënat mbi blegtorinë kupton që kjo krizë është ushqyer vit pas viti nga mungesa e vëmendjes së shtetit. Në vitin 2004 siaps të dhënave të INSTAT numri i krerëve të lopëve, dhive dhe deleve ishte afro 4 milionë, ndërsa në fund të vitit të kaluar numëroheshin vetëm 2.3 milionë krerë bagëti. Kjo rënie prej më shumë se 40% mund të ishte parandaluar, nëse shteti do të ndërhynte në kohë për të mbështetur sektorin.
Çfarë po konsumojmë?
Pikëpyetja e madhe që lind pas kësaj rënie drastike është se çfarë po konsumojmë ne? Përderisa prodhimi i qumështit, i djathit dhe i mishit ka rënë si pasojë e uljes së numrit të krerëve, atëherë si është e mundur që dyqantet e marketet furnizohen po njësoj??
Kjo ka të bëjë me përdorimin në masë të qumështit pluhur nëpër produktet dhe nënproduktet e qumështit që tregtohen në vend. Dy vite më parë një debat i madh u hap për përdorimin e qumështit pluhur në vend, madje u kërkua që edhe të taksohej çdo 100 lekë çdo kilogramë qumësht pluhur, por që pas rezistencës së kompanive të kësaj fushe qeveria u tërhoq. Praktikisht qeveria e legjitimojë përdorimin në masë të qumështit pluhur i cili tanimë në mungesë të prodhimit vendas ju shitet konsumatorëve si qumësht bio.
Përpos faktit që qytetarët shqiptarë po konsumojnë produkte jo bio sicc reklamohen, ato po paguajnë edhe një faturë më të lartë. Nga viti i kaluar në këtë vit ccmimi i “qumësht, djathë dhe vezë” u rrit me 14,3 %, ndërsa i mishit me 12,1%.
Si u mashtruan fermerët në 2022!
Teksa blegtorët prisnin që shteti ti rimbursonte për ccdo litër qumësht sicc edhe ju premtoj, ndodhi e kundërta. Shteti vendoste të rriste më shumë kushtet për blegtorët që të përfitonin financim.
Në Udhëzimin numër 1 të datës 11.02.2022 për kriteret procedurat dhe menyrën e administrimit të fondit të programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural qeveria vendoste të rriste numrin e krerëve që duhet të kishte një blegtor që të merrte financim. Nëse në vitin 2021 një blegtor me 70 krerë dele apo dhi merrte rimbursim 1200 lekë për krerë, prej 2022 përfitues do të jenë ata që e kanë tufën me mbi 100 krerë.
Ndërsa për fermat e lopëve, financim prej 10 mijë lekësh për krerë e marrin vetëm ata që kanë mbi 10 bagëti, nga 5 që ishte në vitin 2021. Në total një fermer mund të përfitoj rimbursim deri në 500 mijë lekë për fermën e lopëve.