top of page

Shqiptarët nuk kanë nevojë vetëm për ujë dhe rrugë!


Nga Mentor Kikia – Asnjë surprizë e asnjë zhgënjim edhe në këto zgjedhje vendore. Fushatën, në vend të problemeve të qytetarëve, e ka zënë “politika e madhe”, ndërsa kandidatët rreken të fitojnë besimin e zgjedhësve me premtimet apo problemet teadicionale: Ujë, rrugë, kopshte e çerdhe…

Padyshim që këto janë problemet e “shportës”, problemet dhe nevojat bazike të qytetarëve.


Nëse nuk kanë ujë në shtëpi, apo ujë për të pirë e për të ujit tokat, apo rrugë ku të ecin vetë e ku të ecë makina për të shitur prodhimet, padyshim që njerëzve nuk i shkon mendja për standarde demokracie, lirinë e medias, apo liritë dhe të drejtat e njeriut. Ndaj politika vazhdon të mbetet sërish te “ushqimet e shportës”.


Por çfarë do të duhej të shikonim më shumë në platformat e kandidatëve? Çfarë mungon në vizionin e tyre? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, do të duhej të pyesnim sërish, se çfarë mungon në qytetet tona, përveç ujit dhe rrugëve? Qyteti, qëkurse lindi si formë e organizimit të jetës së shoqërisë njerëzore, nuk u konceptua si një bashkësi ndërtesash. E thënë më qartë, qytetet nuk janë një fushë e mbushur me pallate dhe qyteti më i bukur dhe më i mirë nuk është ai që ka pallatet më të bukura e më të mëdha.


Në qytetet shqiptare, duke filluar nga Tirana deri tek qytetet industriale që lindën në kohën e komunizmit, i shpallën luftë dimensionit kulturor. U shkatërruan kinematë, teatrot, estradat…. (Edhe atje ku ndërtesat janë ende në këmbë, nuk prodhojnë asgjë, sepse s’kanë artistë).


U shkatërruan qendrat rinore, qendrat kulturore për fëmijët, parqet e mjedise të tjera publike argëtuese. Pra, në vend që të ndërroheshin të reja, u shkatërruan edhe ato që u trashëguan. Qytetet u shndërruan në sheshe ndërtimi, për të shuar etjen e njerëzve për shtëpi dhe etjen e ndërtuesve për sheshe ndërtimi. Kujtojmë se edhe qytete modeste si Cërriku, Ballshi, apo Laçi kishin dikur kinema e qendra kulturore…

U tkurrën në mënyrë dramatike hapësirat publike dhe fëmijët u mbyllën në shtëpi, duke u skllavëruar rrufeshëm nga teknologjia. Ata nuk kanë ku të luajnë e nuk kanë mjedise për të kaluar kohën në mënyrë te kulturuar, ndërsa rinia u shndërrua në klientelë e përhershme e kafeneve(Shqipëria është vendi i dytë në Europë për numër kafenesh në raport me popullsinë).


Njerëzit nuk kanë nevojë vetëm për bukë, rroba e gjumë. Ata kanë nevojë të jetojnë në një qytet që ofron punë, argëtim, çlodhje, dëfrim, sport, jetë kulturore e intelektuale… Mungesa e këtij dimensoni në qytete prodhoi një krizë të re ndër shqiptarët, krizën morale dhe psikologjike.


Besoj e keni pyetur shpesh veten se përse shqiptarët janë marrosur pas spektakleve banale televizive të tipit Big Brother? Mendoj se një nga arsyet është pikërisht vakumi kulturor dhe argëtues që ka lënë shteti dhe pushteti.


Keni pyetur ndonjëherë vetën se përse ikin nga Shqipëria edhe njerëz që këtu kanë të ardhura të mira e jetojnë shumë mirë ekonomikisht?


Ikin sepse këtu mungojnë dimensionet e tjera të jetës. Mungojnë parqet për fëmijë e të moshuar, mungojnë teatrot dhe kinematë, bibliotekat, terrenet sportive dhe qendrat kulturore, ku fëmijët të kalojnë kohë pozitivisht e ku të shprehin talentet e tyre.

Këtë vizion për zhvillimin e qyteteve nuk e shikojmë as këto zgjedhje.

bottom of page