Shtatë miliardë euro për 5 minuta. Ose 1.4 milardë euro në minutë. Kjo ishte koha e shqyrtimit dhe votimit që mori ligji më i rëndësishëm vjetor në Parlament, buxheti i shtetit.
Mes tensioneve dhe flakëve në Kuvend, në seancën që zgjati vetëm 5 minuta është miratuar projektbuxheti i vitit 2024.
Ndërsa deputetët e opozitës hodhën tymuese, ku në një moment u ndezën dhe flakë në Kuvend, mazhoranca miratoi në kohë rekord projektbuxhetin me 83 vota.
Menjëherë pas miratimit, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla njoftoi mbylljen e seancës.
Seanca e sotme parlamentare e cila ishte parashikuar të ishte një seancë maratonë për shkak se do diskutohej për buxhetin, zgjati më pak se 5 minuta.
Pjesë e seancës ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili nuk bëri asnjë koment. Shkak u bënë tensionet e krijuara nga deputetët e opozitës, të cilët pavarësisht kontrolleve të Gardës ndezën tymuese në Kuvend. Kjo solli përjashtimin e Flamur Nokës nga seanca, dhe mbylljen e menjëhershme të seancës së sotme parlamentare. Një situatë alarmante u krijua për pak çaste për shkak të zjarrit që nisi në Kuvend, pas tymueseve që u hodhën nga opozita. Garda ndërhyri në kohë duke e shuar atë.
Berisha: Votimi i paligjshëm
Ish kryeministri Sali Berisha deklaroi se votimi i buxhetit është i paligjshëm. “Ju e patë vetë skenën më të shëmtuar në historinë 32-vjeçare të parlamentit. Ju e patë vetë se si banorët e fermës së Edi Ramës, lexo Xhorxh Oruellit, kaluan brenda 5 minutash, aktin themelor të vitit, buxhetin e shtetit. E kaluan në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, sepse ky buxhet erdhi këtu jo mbi bazën e procedurave që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, por erdhi si një proces klandestin, i zhvilluar në mejhane me ahengje dhe në mënyrë të paparë. Kështu siç nisi, ne erdhëm këtu për të bllokuar procesin, në mënyrë që buxheti, akt themelor i vitit në parlament, të merrte të gjithë dimensionet që i takonin, por ata e kaluan atë brenda 7 minutash, në frikë dhe tmerr.
Sipas Berishës, beteja e opozitës ndaj atij që ajo e quan regjim do të vazhdojë pa asnjë kompromis.
“E votuan, por nuk votoi askush, nuk ka asnjë evidencë për votimin, as për ndonjë gjë tjetër, përveç cicërimit si papagall të shërbëtores së Edi Ramës, Lindita Nikollës.
Kjo dëshmon drejtësinë e betejës pa kthim të opozitës, e cila edhe sot korri një fitore në betejën e saj pa kthim, pasi u bëri të pamundur hajdutëve të mbrojnë vjedhjen e tyre të mashtrojnë shqiptarët me vjedhjen e tyre. I bëri të pamundur Edi Ramës të ligjërojë për buxhetin e vjedhjes më të madhe në histori, buxhetin e gjobës më të madhe ndaj shqiptarëve. Beteja pa kthim e opozitës vazhdon,” përfundoi Berisha.