Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi njoftoi sot shtyrjen e afatit të aplikimeve të universiteteve për projektet kërkimore shkencore, duke bërë edhe një thirrje që universitetet të aplikojnë.
Në postimin e saj znj. Kushi thekson se këtë vit buxheti për projekte të kërkimit shkencor është rritur me 75% në krahasim me vitin 2022, duke ecur shpejt drejt përmbushjes së angazhimit për të rritur financimin e kërkimit shkencor në 1% të PBB deri në vitin 2030.
“Falë këtij buxheti, me thirrjen e këtij viti do të mundësojmë edhe rritjen e numrit të projekteve fituese por edhe përmirësimin e cilësisë së tyre”- thekson ministrja.
Reagimi:
Të nderuar pedagogë dhe kërkues shkencorë,
Prej disa ditësh Ministria e Arsimit dhe Sportit, nëpërmjet AKKSHI-së, ka shpallur Thirrjen për projekte të Kërkim Zhvillimit (PKKZH) për vitin 2023.
Përgjatë këtyre ditëve kemi parë një angazhim dhe interes të lartë nga universitetet dhe institucionet kërkimore shkencore për të aplikuar në këtë thirrje. Prandaj, nisur nga nevoja dhe kërkesat tuaja për më shumë kohë në dispozicion, Bordi i Administrimit të AKKSHI-së mori vendimin për shtyrjen e afatit të aplikimit deri në datën 17 Mars 2023.
Këtë vit kemi rritur me 75% buxhetin për projekte të kërkimit shkencor në krahasim me vitin 2022, duke ecur shpejt drejt përmbushjes së angazhimit tonë për të rritur financimin e kërkimit shkencor në 1% të PBB deri në vitin 2030. Falë këtij buxheti, me thirrjen e këtij viti do të mundësojmë edhe rritjen e numrit të projekteve fituese por edhe përmirësimin e cilësisë së tyre.
Së shpejti ne do të hapim edhe thirrjen e dytë, e cila do t’i dedikohet vetëm projekteve që vijnë nga bashkëpunimet mes universiteteve dhe bizneseve, me qëllim modernizimin e proceseve teknologjike ose përmirësimin e standardeve të produkteve dhe shërbimeve.
Duke ju uruar suksese dhe punë të mbarë, ju inkurajoj fort që projektet tuaja t’i përgjigjen 6 fushave prioritare të shpallura në Thirrje, për të mbështetur zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.