Seanca e dytë paraprake për Gërdecin është shtyrë për shkak se familjarët e një prej viktimave, Feruzan dhe Zamira Durda si kallëzues në SPAK, kanë kërkuar që të marrin pjesë në gjyq. Kjo është hera e dytë që seanca shtyhet, pasi në të parën, më 8 Mars nuk ishin prezent prokurorët.
Gjykata e Posaçme ka vendosur të marrë në shqyrtim kërkesën e familjarëve të tragjedisë së Gërdecit dhe për rrjedhojë të shtyjë seancën paraprake për një datë tjetër.
Avokati i familjes Durda e ka konsideruar vendimin e sotëm të GJKKO si “absurd” dhe tha se me ligjin e ndryshuar prej gjashtë vitesh, viktimat mund të jenë prezentë në sallën e gjyqit. Dorian Matlia tha se 26 të vrarët e Gërdecit mund të verifikohen lehtësisht.
“Ishte një prokuror në seancë, zoti Braho, dhe dy avokatë të të pandehurit. Nuk kemi informacion për datën e radhës. Palët tani do japin deklarim nëse janë të përfshirë në krim apo jo. Dyshimet e mia janë që nuk duan të ketë pjesëmarrje të viktimave prezente. Gjykatës i vështirësohet puna.
Seanca paraprake është shumë e rëndësishme. Këtu vendosët nëse do shkojë në gjyq apo jo, nëse do kthehet për ri-hetime apo jo. Gjykata nuk po e menaxhon mirë procesin, palët janë aty, duhet të shikojë janë viktimat aty apo jo. 26 emrat e të vrarëve verifikohet kollaj”, u shpreh avokati Dorian Matlia.