
Prokuroria e Durrësit dhe njësia Europiane Kundër Mashtrimit OLAF kanë hapur një hetim të përbashkët për çështjen e trafikimit të mbetjeve që dyshohen të rrezikshme nga Shqipëria në drejtim të Tajlandës.
Transportimi i mbetjeve të rrezikshme është vepër penale dhe dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet, vepër e cila rëndohet kur trafikimi është ndërkombëtar.
“Transportimi tranzit apo depozitimi në territorin shqiptar të mbeturinave toksike dhe radioaktive, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet”, thuhet në Kodin Penal.
“Ndotja që shkaktohet nga emetimet e procesit të prodhimit të çelikut është e madhe. Në Kombinatin Metalurgjik më përpara emetoheshin në atmosferë, por ka disa vjet që janë vënë disa filtra që kapin grimcat e rrezikshme. Këto janë metale të rënda që klasifiohen të rrezikshme ose EAF janë pluhura që duhet të trajtohen në impiante të posaçme”, thotë ambientalisti Lavdosh Ferruni.
“Nëse kompanitë që prodhojnë mbetje të rrezikshme nuk janë në gjendje për të qenë të konkurrueshëm në tregun ndërkombëtar duke respektuar standardet mjedisore dhe të të drejtave të punëtorëve, nuk mund të futen në tregti të paligjshme, në krim të nivelit ndërkombëtar që për nga fitimet ia tejkalojnë tregtisë së drogës”, thotë Gjergji Buxhuku, administrator i Konfundustrisë.
Në sqarimet publike që dhanë për ngjarjen, askush nuk zgjodhi të marrë përgjegjësi duke ia lënë fajin një zinxhiri kompanish private: Kurum që është prodhuesi, Sokolaj shpk transportuesi dhe EMS APO, koncesionari që përpunon mallrat rifuxho në Portin e Durrësit.
Por çfarë thotë ligji për Autoritetet Portual? Përgjegjësia për sigurinë e porteve është e autoriteve që i administrojnë ato. Ata janë të detyruar të garantojnë sigurinë, por dhe të kontrollojnë kompanitë që marrin si nënkontraktore për të kryer punimet ndihmëse.
Në rastin e Portit të Durrësit, njësitë ligjzbatuese në këtë territor nuk janë të pakta, që nga kapiteneria e portit, policia kufitare, autoritetet doganore dhe deri te njësia e Shërbimit Informativ Shtetëror. Askush nuk ka patur informacion jo për 1, por për mbi 200 kamionë që kanë hyrë me mbetje të rrezikshme dhe janë përpunuar e ngarkuar në këtë port.
“Autoriteti portual i portit për mbrojtjen e mjedisit në port krijon shërbimin e kualifikuar të mbrojtjes së mjedisit dhe ndan përgjegjësitë e këtij shërbimi. Shërbimi i mbrojtjes së mjedisit regjistron të gjitha rastet e veprimeve që cenojnë mjedisin dhe zbaton rregulloret, vendimet dhe udhëzimet e autoritetit portual, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar, me sistemet dhe praktikat e pranuara nga shteti shqiptar për mbrojtjen e mjedisit dhe të tokës së portit”, thuhet në Ligjin për Autoritetet Portuale.
Shqipëria është pjesë e konventës IMDG, e cila e detyron që të transportojë në mënyrë të sigurt sipas rregullave të këtij protokolli, mallrat e rrezikshëm.Më 23 dhjetor 2021, Këshilli Drejtues i Portit të Durrësit ka miratuar rregulloren për Procesimin e Mallrave të Rrezikshëm, ndërsa një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit i vitit 2021, ka gjetur parregullsi të shumta në zbatimin e standardeve sa i takon këtyre mallrave.
“Në zonën 17 “Terminali lindor” ku ushtron aktivitet Konçesionari “EMS APO”, është konstatuar se ka ngritje të grimcave të mineraleve që depozitohen në shesh në ajër. Kryesisht ky fenomen konstatohet në procesin e ngarkim shkarkimit të qymyrit. Ndotja nuk ndodh vetëm në ajër, por arrin të kontaminojë edhe ujërat të cilat depozitohen në det”, thuhet në raportin e KLSH.
“Detyrimet që ka autoriteti portual, çdo port, janë të shënuara në kodin ISPS në lidhje dhe me ngarkesat e rrezikshme dhe janë të detyrueshme për shtetin shqiptar sepse është konventë. Duke dështuar sistemi i zhvillimit dhe kontrollit, duke dështuar mbajtja e përgjegjësisë, nuk ka asnjë arsye të bëhet, përveç faktit që ky është një aktivitet i kryer në bashkëpunim”, thotë Artur Meçollari, ish-zv/komandant i Flotës Detare.
Dyshimet që implikojnë autoritet shqiptare nuk lidhen vetëm me mbetjet e Kurum, por hetimet tashmë po shtrihen në lidhjet e kompanisë eksportuese me vende të tjera të Europës që dërgojnë mbetjet në shtete të varfra duke përdorur si port Durrësin.
“Ky material mund ta ketë origjinën nga vende të tjera të Evropës. Kudo ku ka fabrika për shkrirjen e çelikut, krijohet ky lloj hiri. Kompanitë duan ta heqin qafe, sepse kostoja është më e lartë për ta menaxhuar siç duhet. Po ashtu edhe zinku që nxirret prej tij nuk është aq i vlefshëm”, deklaroi Jim Puccket, drejtor i Rrjetit të Aksionit të Bazelit.
Në vazhdën e hetimeve dhe denoncimeve, kompania gjermane e cila kishte marrë për 30 vjet koncesionin e përpunimit të mallrave në Portin e Durrësit nisi negociatat në qershor për të shitur aksionet te kroatët e “Schapa doo” për vlerën 13 milion euro. Njëkohësisht gjermanët e EMS APO tërhiqen nga arbitrazhi disa muaj pasi kishin paditur Shqipërinë për shkelje të njëanshme të kontratës pas njoftimit nga autoritetet për t’i hapur rrugë ndërtimit të marinës turistike dhe transferimit në Porto Romano.
“Qartësisht kemi të bëjmë me një marrëveshje okulte ku thjesht ministrja ka dashur të largojë kompaninë gjermane koncesionare të mallrave rifuxho, ka thirru një firmë tjetër dhe i ka thënë që bli koncesionin dhe do të gjejmë mënyrën të të shpërblejmë”, thotë deputeti i Partisë “Mundësia” Agron Shehaj.
A është përgjegjëse kjo kompani për të testuar materialin e rrezikshëm dhe çfarë do të fitonte nëse do të implikohej në këtë trafik? Sipas kontratës koncesionare, EMS APO, tarifon 100% më shumë në rastin që përpunon mallra të rrezikshëm, ndaj këtu nuk duket të ketë interes financiar.
“Tentativa për tu zhveshur nga përgjegjësia është totalisht e palogjikshme dhe e pavërtetë sepse Autoriteti Portual i Durrësit është përgjegjësi për çka ndodh Brenda territorit të Portit. Është përgjegjës për çfarë bëjnë koncesionarët, kontraktorët dhe të gjithë subjekret që operojnë brenda tij”, thotë deputeti Shehaj.
“Në portin e Durrësit ka shumë aktivitete që lidhen me transportin e mallrave të rrezikshme. Mallrat e rrezikshme janë një gamë e madhe, dhe një detergjent me përmbajtje të lartë acidi përbën mall toksik dhe ka shumë kompani që trajtojnë mbetjet e rrezikshme në portin e Durrësit, por i trajtojnë sipas rregullave në fuqi, kodit ndërkombëtar dhe rregulloreve të portit. Pse pikërisht vetëm për dy kompani që trajtuan gati 1700 ton u shkelën këto rregulla? Ndaj unë i shoh të gjithë aktorët të përfshirë privatët dhe institucionet publike”, shton Meçollari.
Vetëm hetimet e prokurorisë dhe Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit mund të zbardhin se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Deri tani janë sekuestruar dokumente nga kompanitë “Sokolaj” e “Kurum” dhe janë marrë në pyetje administratorët e kompanive.
Por pikëpyetjet mbeten të mëdha, a janë 816 ton pluhur i rrezikshëm i prodhuar nga Kurum apo ka dhe uzina të tjera që po përdorin Shqipërinë si tranzit për këto mbetje?
Kush ka bërë bashkë fijet e prodhuesve, transportuesve dhe a ka bashkëpuntorë nga autoritetet publike? Deri në cilat nivele është ky bashkëpunim dhe për sa vite është lejuar të ndodhë ky krim?