top of page

Si e pikasi DEA që narkos-it shqiptarë nuk janë në Londër, por në politikën e Tiranës


DEA Amerikane /

 DEA amerikane e ka pikasur me kohë, dhe ka qenë ndër agjencitë e para të zbatimit të ligjit, që ka arritur në përfundimit se bosët e vërtetë të narkotrafikut shqiptar të kokainës nuk ndodhen as në Amerikën Latine e as në Europë, por në pallatet e pushtetit në Tiranë...

Pak javë më parë, kur një grup prokurorësh të SPAK vizituan Uashingtonin dhe DEA-n amerikane, priteshin zhvillime të mëdha. Të cilat sapo kanë filluar, e në ditët e ardhshme priten akoma edhe më të bujshme.

Siç mësohet, pritet të ketë një operacion masiv të konfiskimit të aseteve kriminale që janë përkthyer në pallate e kulla në Tiranë.

Por i gjithë ky vrull që sapo ka nisur, nuk se është pjekur tani. DEA amerikane e ka pikasur me kohë, dhe ka qenë ndër agjencitë e para të zbatimit të ligjit, që ka arritur në përfundimit se bosët e vërtetë të narkotrafikut shqiptar të kokainës nuk ndodhen as në Amerikën Latine e as në Europë, por në pallatet e pushtetit në Tiranë.

Hyrja e beftë e grupeve shqiptare në vitet 2012-2013 në operacionet e blerjes me shumicë të kokainës nga duart e karteleve latinoamerikanë ishte një fakt i ri, e mjaft interesant për çdo polici që ndiqte prej kohësh aktivitetet kriminale të grupeve shqiptare në Perëndim. Që nga SHBA e Kanadaja e në të gjithë Europën.

Gongu ra me grupin “Krasniqi” të Nju Jorkut, kur FBI-ja e atij shteti arriti në përfundimin se bandat shqiptare po merrnin në duart e tyre infrastrukturën e vjetër e familjeve mafioze të Cosa Nostra-s në City, por edhe zona të tjera të SHBA.

Siç dihet, hetimet për bandën “Krasniqi” që po shikonte një aleancë të re mes shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova e trojet, pra një bashkim që nuk po vërehej në politike, çuan në një derë të rëndësishme.

Këto hetime arriten deri në Tiranë. Një komisioner i grupit “Krasniqi”, tashmë i famshmi Almir Rrapaj arriti të bëhej këshilltari i Zv.kryeministrit të Shqipërisë, përkatësisht ministrit të Jashtëm Ilir Meta.

Rrapaj nuk ishte një gangster i margjinave të Nju Jorkut që shiste hashash dhe heroinë në getot e atij kontigjenti të varurish rëndë nga droga. Ishte një i shkolluar që të ëmën e kishte edhe përkthyese, dhe që punonte herë pas here edhe për Departamentin e Shtetit të SHBA.

Pse i duhet një grupi kriminal të ketë lidhje aq të larta, ishte pyetja e dedektivëve dhe analistëve të FBI-së? Zakonisht, grupet kriminale krijojnë lidhje me struktura policore, madje i kanë ata në bordero, ndërkohë që paguajnë edhe prokurorë e gjykatës. Hyjnë shpesh edhe në fushata zgjedhore, duke financuar deputetë për mbrojtje e lobim, por nuk hyjnë lart në qeveri. Përvoja botërore e narkotrafikut ka treguar se kur ndodh kjo, atëherë jemi para fenomenit të karteleve latinoamerikane. Ku nuk bëhet fjalë më për grupe, por për një mafie massive. Pasi paratë që do të duhet të korruptojnë politikanët duhet të jenë shumë, e që të jenë kaq, atëherë edhe fitimet e një biznesi me shumë rrezik duhet të jenë marramendëse.

Rasti e solli që njëkohësisht me ndjekjen dhe përpunimin e Almir Rrapajt, FBI mori të dhëna nga policia zvicerane se papritur grupet shqiptare që ishin prej vitesh në terren si shpërndarës të heroinës, po hidheshin tek droga e “luksit” kokaina. Madje në disa lande zvicerane, policitë kishin ardhur në përfundimin se teknologjia dhe infrastruktura e grupeve shqiptare ishte perfeksionuar. Ata nuk shisnin më në parqe, apo në vende të njohura si grumbullime narkomanësh, por kishin krijuar një rrjet perfekt shpërndarjeje nëpërmjet telefonit. E klientela e tyre nuk ishte më ajo masë e të varurish terminalë, por një klientelë e pasur që konsiderohej elitë. Interesant u quajt fakti se shpërndarja funksiononte si e picave, ku rolin e motorristëve e luanin narkomanët e varur prej heroinës, e që këtë punë e kryenin thuajse falas. Shqiptarët kishin hyrë në biznesin e madh të kokainës.

Policia italiane, kishte që në fillimin e viteve 2000 që raportonte se në grupet e mafieve më të rëndësishme të vendit: Camorra e Napolit por edhe N’dragheta e tmerrshme, ishin rekrutuar mjaft shqiptarë. Por kjo konsiderohej fenomen normal, pasi gjithmonë mafiet për të transportuar mallin lidhen vetëm me “nënkontraktorë” që i përkasin nacionaliteteve të tjera, e sidomos vendi ku bëhet nisja apo transportimi i kokainës.

Nga hetimet, kryesisht në Zvicër, Gjermani, Britaninë e Madhe, por më pas edhe në Spanjë me një shpejtësi rrufe, u zbulua se grupet shqiptare po shisnin kokainë të prokuruar, blerë, por edhe të sjellë nga vetë ata.

E kështu lindi pyetja: si ka mundësi që grupet shqiptare hynë kaq fort në tregun e një malli që kushton 5-10 herë më shumë se heroina?

Si ka mundësi që shqiptarët, ishin aq të rëndësishëm sa të prokurornin vetë kokainën në vendet e Amerikës Latine?

Dhe si një stuhi që sa vinte e rritej, numri i shqiptarëve të rinj që hynin në biznesin e shpërndarjes së kokainës në Europë mori një vrull të paparë.

Në kohën e karteleve të mëdhenj kolumbiane, kokaina shpërndahej nga franchize të tyre. Karteli i Escobarit e kryente me grupe terroriste në Europë, si baskët, palestinezët ose italianët e Casa Nostra-s; kurse Karteli i Kalit, që kishte edhe pseudonimin KGB e bënte me një nënkontraktor me fuqi planetare; mafia ruse!

Prej kësaj përfituan edhe serbët, që u bënë menjëherë shpërndarës të kokainës së Kalit në fund të viteve 90.

Pas rënies së Kartelit të Kalit, serbët kishin aq lidhje sa të ngjizeshin në territor, por si gjithmonë si nënkontraktorë të rusëve, që nuk ishin gjë tjetër veçse degë e shërbimeve sekrete si GRU dhe devijime të FSB-së.

Po shqiptarët?

Dyshimet e amerikanëve nuk po rakordoheshin gjersa u arrit te rasti Almir Rrapo. Nga zbërthimi i këtij rasti, natyrisht me pranimin për tu bërë dëshmitar i drejtësisë, u dhanë indikacionet fillestare se paratë e mëdha për të hyrë në tregun global me shumicë të kokainës vinin nga Tirana. Përkatësisht nga paratë e korrupsionit, si dhe thesi i madh i akumuluar i narkotrafikut të Hashashit të Lazaratit, që në vit llogaritej me një xhiro vjetore prej  disa miliardë eurosh. Thuajse në një linjë me buxhetin e shtetit shqiptar.

Pak kohë pas arrestimit të Rrapos, kreu një “vizitë” në selinë e DEA-s amerikane edhe Ilir Meta. Për të cilën nuk u fol fare.

Më pas, i gjithë operacioni u fut në vëzhgimin e DEA-s dhe të agjencive të tjera europiane. Të cilët në vitin 2016, arritën të kapnin jo pak por 12 baronë shqiptarë të kokainës në Europë, e sekuestruan tonelata kokainë, së bashku me disa miliona euro.

Në këtë kohë ndodh dhe vrasja e parë shqiptare në Ekuador- Ilir Hidri.

Ekuadori është vendi i bursës së kokainës në Amerikën latine, aty ku nisen më shumë se gjysma e ngarkesave për në Europë.

Nga Tirana, në atë kohë doli një lajm, ku prokuroria, (atëherë e drejtuar nga Adritik Llalla), pyeti në ministrinë e Brendshme nëse kishte informacione se Hidri ishte informator i DEA-s. Ky zhvillim duket se derdhi gotën, e më pas të gjitha operacionet u bënë me bindjen e vërtetuar se narkotrafiku shqiptar i kokainës e ka bazën në Tiranë. Atje vjen financimi dhe depozitohet shumica e fitimit, por jo e gjitha. Kjo më pas u pa qartë në kapjen e të gjitha grupeve shqiptare, të cilët ishin thjeshtë francize të bosëve të mëdhenj, të cilët dolën se ishin edhe bosë të pushtetit, politikës e biznesit në vend. Por kjo pjesë është një mesele tjetër që do të trajtohet në vazhdim.


bottom of page