Socialistët i thanë Jo ngritjes së komisionit hetimor mbi aferën e Portit të Durrësit, ku tashmë ka nisur shitja e apartamenteve që pritet të ndërtojë biznesmeni arab Mohamed Alabar. Deputetët e opozitës duan të hedhin dritë përmes hetimit parlamentar mbi efektet e marrëveshjes, që i dhuroi investitorit arab 812 mijë e 600 hektarë tokë publike në Durrës, pa garë dhe duke i falur taksat.
Kompleksi gjigand i pallateve dhe hoteleve pritet të sjellë fitime kolosale për arabin, por është e paqartë nëse shteti shqiptar mori maksimumin në negociata.
“Kushtetuta e thotë që kur janë 35 firma deputetësh, është detyrim të mbahet Komisioni Hetimor. Meqë ne do të bëjmë edhe reformë zgjedhore, pse nuk anuloni edhe zgjedhjet e 14 majit?” ishte pyetja që ngriti në parlament Oerd Bylykbashi, pas rrëzimit të kërkesës.
Në nenin 77, pika 2, Kushtetuta parashikon se Kuvendi është i detyruar të caktojë komision hetimor për të shqyrtuar një çështje të veçantë, me kërkesë të një të katërtës së deputetëve.
Por mazhoranca po i refuzon sistematikisht kërkesat e opozitës. Socialistët kanë gjetur një pretekst për të hedhur poshtë komisionet hetimore, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për çështjen “Beketi”. Thonë se ligji duhet ndryshuar. Deri atëherë, hetimi parlamentar është i paralizuar.