top of page

Si mashtroi Berberi me punimet 14 MLN dollarë në Qafë-Botë, zgjatje afati dhe 2 MLD lekë shtesë


Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, nuk i mbaron rrugët në afat, por zgjat afatet dhe vë fonde shtesë. Për këtë, drejtori mbështetet nga ministria e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Për shembull, në vitin 2021 Berberi dhe Balluku dolën e u mburrën për punimet që po bënin rrugën e Qafë Botës, për të cilën është firmosur tenderi me vlerë 14 milionë dollarë.

“Punime po ecim me ritme të shpejta dhe cilësi të mirë”, shkroi një vit më parë në Facebook Berberi.



Por, puna e tij mbetet deri aty, deri në postimet në rrjetet sociale, ndërsa realiteti është krejtësisht ndryshe!

Shtohet fondi!

Rruga jo vetëm që nuk ka përfunduar, por punimet nuk ndoqën projektin sipas kalendarit dhe fondeve të përcaktuara për secilin zë. Kompanitë përgjegjëse kanë kërkuar fonde shtesë dhe drejtori i ARRSH ia ka plotësuar dëshirën.

Ditën e djeshme është firmosur modifikimi i kontratës “Përfundim i Punimeve në segmentet rrugore Ura e Kranesë Qafë Botë, Ura e Kranesë Ura e Gajdarit dhe përmirësimi i segmentit rrugor Shijan Ura e Gajdarit”. Në këtë modifikim parashikohet shtyrja e afatit dhe shtesa e 2 miliardë lekëve të tjera. Çka do të thotë, që fondi shkon në rreth 16 milionë dollarë.

“Sipas Buletinit Nr. 93 datë 13 Nëntor 2023, Bazuar në Nenin 127 të Ligjit nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik”, jemi në kushtet e modifikimit të kontratës sipas përcaktimit të këtij neni.

Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe e Operacioneve me shkresën nr. 6963 prot, datë 30.08.2023, ka paraqitur relacionin teknik, të miratuar nga ana juaj, në të cilin janë paraqitur dhe prezantuar të gjitha shkaqet që kanë çuar në nevojën për këtë modifikim kontrate”, thuhet në dokument.



Paaftësi në hartim

Por, përse janë bërë këto modifikime? Për shkak të paaftësisë të atyre që hartuan tenderin apo të korrupsionit të Berberit dhe Ballukut në bashkëpunim me operatorin ekonomik.

Sepse specifikohet që ka mos përputhje të projektit me preventivin dhe mospërputhje të zbatimin të projektit në terren.

“Propozimet, të cilat janë shqyrtuar dhe miratuar nga Mbikëqyrësi i Punimeve, janë bërë për arsye të mëposhtme:

1. Ndryshime të volumeve për shkak të mospërputhjes së projektit me preventivin.

2. Ndryshime të volumeve për shkak të mospërputhjes së projektit me faktin në terren.

3. Rishikim i projektit të sinjalistikës horizontale dhe vertikale në tërësi.

4. Plotësimi i preventivit fillestar me zëra të rinj të nevojshëm për realizimin e punimeve”, theksohet në kontratën e re.

Nënvizojmë se do shtohet edhe afati nga 18 muaj në 22 muaj. Pra, me shpresë që të mos ketë ndonjë shtyrje të re të afatit, rruga në 2025 përfundon.



Balluku dhe Berberi vulosën abuzimin pa iu dridhur qerpiku, por kolegia e tyre Sonila Qatipi për një firmë po jep llogari në SPAK. Të shohim kur e kanë radhën këta të dy!

Në një vend si Shqipëria, ku buxheti shpërdorohet nga zyrtarët e korruptuar vazhdojnë të përpijnë fondet firmat “AGBES CONSTRUKSION” – “MELA” – “ALB SHPRESA”, të cilat në vitin 2021 e përfituan këtë tender pa garë dhe me vlerën më të shtrenjtë. Open Data Albania e vlerësoi këtë tender me “Flamur të kuq” për shkak të riskut të lartë të korrupsionit. Dhe ka pasur të drejtë, sepse shtesa e fondeve dhe e afatit, kur nuk ka asnjë rrethanë të jashtëzakonshme, vërteton paralajmërimin e bërë qysh në firmosjen e kontratës. Tani që gjylja plasi, shpresojmë që SPAK të reagojë!

bottom of page